Foto: balkan web

Foto: balkan web

Italia do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Deklarata vjen nga kryeministri italian, Mario Draghi në konferencën e përbashkët për shtyp në Romë me kreun e qeverisë shqiptare, Edi Rama.

“Italia është pranë Shqipërisë. Sa i përket hyrjes në BE, Italia ndjek nga afër dhe përshtatjen e standardeve të Shqipërisë me vendet e BE-së. Procesi i hyrjes s’do të ndodhte vetëm, por edhe me hyrjen e vendeve të Ballkanit. Ka nisma të ndryshme ku të dyja vendet do të punojnë në mënyrë të veçantë. Do të firmoset marrëveshja për të marrë pjesë në Komitetin Ekonomik të përbashkët mes Italisë dhe Shqipërisë”, -tha kryeministri italian.

Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërsa u shpreh se diskutuan mbi format e mënyrat për të thelluar më tej këtë bashkëpunim.

Kryeministri Rama deklaroi se i ka kërkuar kryeministrit italian Mario Draghi përshpejtim të njohjes së pensioneve të shqiptarëve në Itali.

“Ka shumë shqiptarë, të cilët punojnë prej vitesh dhe paguajnë kontribute në shtetin italian”, -u shpreh ai.

Sa i përket integrimit, Rama tha se vetoja e vendosur nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut është një dëm kolateral për Shqipërinë. Sipas tij, Holanda dhe Franca po punojnë për ta hequr. (Elona)