Kryeministri Edi Rama deklaroi të hënën në Kuvendin e Shqipërisë, se revolucioni digjital në shërbim të qytetarit, sipërmarrjes, zhvillimit ekonomik, punësimit e luftës kundër krimit e korrupsionit, me buxhetin 2022 merr një shtysë të re, bën të ditur “ATSH”.

Kryeministri theksoi se po hyhet në fazën e mbylljes së ciklit jo vetëm për aplikimet “online” dhe një pjesë të shërbimeve që mbyllen edhe me dhënien e dokumenteve me vulë elektronike pa pasur asnjë kontakt me zyrat e shtetit, por për të gjitha shërbimet.

Sipas Ramës, ambicia e këtij mandati është që çdo gjë të sigurohet brenda sistemit të digjitalizuar të shtetit.

Kryeministri veçoi kadastrën digjitale, që sipas tij është në proces të avancuar. "Me digjitalizimin përfundimtar edhe Kadastra do të jetë institucion i aksesueshëm pa sportele dhe do të japë të gjitha dokumentet e kërkuara të pronësisë”, -tha Rama. (Fatosi)