Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, përmes një video të publikuar në rrjetet sociale, njoftoi edhe njëherë për kategoritë të cilat përfshihen për të marrë dozën e tretë të vaksinës anti-Covid.

Me dozën e tretë duhet të vaksinohen personat mbi 60 vjeç me sëmundje kronike, personeli shëndetësor dhe personat që jetojnë në institucionet e kujdesit afatgjatë.

Gjithashtu, me dozën e tretë të vaksinës këshillohet ta marrin edhe personat mbi 18 vjeç me sëmundje të caktuara.

Doza e tretë, e quajtur “booster”, duhet të merret jo më herët se 6 muaj pas kryerjes së dozës së dytë, por këshillohet që qytetarët të kontaktojnë me mjekun e familjes.

Ministrja Manastirliu u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen, pasi jeta e cilitdo prej nesh vlen!

Prej 1 nëntorit janë kryer mbi 18.000 vaksina përforcuese. Me këshillim të Komitetit të Ekspertëve ka nisur edhe vaksinimi i fëmijëve 12-15 vjeç me probleme të sistemit imunitar. (Irma)