Guvernatori Sejko(A2)

Guvernatori Sejko(A2)

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, i pranishëm në Komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat tha se projektbuxheti përcakton qëndrimin e politikës fiskale për vitin 2022 dhe alokon fondet e nevojshme për financimin e programeve të zhvillimit.

Sejko vuri në dukje se, politikat ekonomike synojnë të orientohen drejt normalizimit dhe t’i shërbejnë forcimit të qëndrueshmërisë të financave të vendit.

“Projektbuxheti i vitit 2022 merr jetë në kontekstin e një procesi rimëkëmbjeje të ekonomisë shqiptare, pas goditjes së dyfishtë të tërmetit dhe pandemisë, por edhe në sfondin e sfidave të vazhdueshme afatmesme dhe afatgjata të zhvillimit që kemi përpara”, -vuri në dukje Sejko.

Në gjykimin e Bankës së Shqipërisë, vijoi ai, zhvillimet ekonomike të vitit 2021, dhe në veçanti: normat e larta të rritjes gjatë gjysmës së parë të vitit; rikuperimi i pjesshëm i treguesve të tregut të punës; përmirësimi gradual i bilanceve financiare të sektorit privat; stabiliteti i inflacionit dhe i kursit të këmbimit; si dhe kreditimi në rritje i sektorit privat; tregon se ekonomia shqiptare po e përballon me sukses këtë sfidë.

Banka e Shqipërisë sugjeron rishikimin periodik të skemës së pensioneve, atë të sigurimeve shëndetësore dhe skemat e tjera të sigurimeve sociale, me synim ruajtjen e këtyre skemave në trajektore të qëndrueshme dhe të përballueshme për buxhetin e shtetit.

Më tej Sejko tha se BSH sugjeron përfshirjen e tavaneve ligjore afatgjata mbi vlerën e përgjithshme të kontraktuar të PPP-ve. Ky rregullim do të ishte një element plotësues i kontrollit të nivelit të rrezikut potencial që PPP-të mund të kenë mbi shëndetin e financave publike. (Irma)