Foto:VCG

Foto:VCG

Qeveria hungareze ka bërë të detyrueshëm vaksinimin e punonjësve dhe nëpunësve civilë, ndërsa numri i infektimeve me COVID-19 ka arritur në nivele të papara që nga pranvera.

“Kompanitë tani mund të kërkojnë vaksinimin e personelit”, njoftoi në një konferencë shtypi Gergely Gulyas, shefi i stafit të kryeministrit Viktor Orban.

“Shkelësit e kësaj mase do të duhet dalin në pushim pa pagesë dhe mund të pushohen nga puna pas një viti”, shtoi ai, raporton “ATSH”.

Ai tha se qeveria, si punëdhënëse, do të japë vetë shembullin, ndërsa ftoi autoritetet lokale të bëjnë të njëjtën gjë.

Veç kësaj, mbajtja e maskës do të bëhet sërish e detyrueshme në transportin publik, nga 1 nëntori.

Hungaria i dha fund shumicës së kufizimeve shëndetësore më 21 maj, duke e gjykuar të mjaftueshëm nivelin e vaksinimit në vendin me 9,8 milionë banorë.

Vetëm 60 për qind e popullsisë është plotësisht e vaksinuar, nën mesataren e BE-së (66,4 për qind). Hungaria është ndër vendet më të goditura nga pandemia e COVID-19, me më shumë se 30.000 vdekje që nga fillimi i pandemisë, një nga shifrat më të larta në BE. (Irma)