Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi zhvilloi të premten në Tiranë bisedime me ministren e Jashtme shqiptare Olta Xhaçka.

Wang Yi tha se vizita zyrtare e tij në Shqipëri synon të jetë një udhëtim i veçantë për të shprehur mirënjohjen për Shqipërinë. Pesëdhjetë vjet më parë Shqipëria dhe Algjeria ishin nismëtare të “Propozimit të përbashkët”, u shpreh Wang Yi. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi me shumicë dërrmuese Rezolutën 2758, e cila zgjidhi plotësisht çështjen e përfaqësimit të Kinës në Kombet e Bashkuara politikisht, ligjërisht dhe proceduralisht. Kjo shënon rikthimin e Kinës, e cila përbën një të katërtën e popullsisë së botës, në familjen ndërkombëtare, duke i bërë Kombet e Bashkuara me të vërtetë organizatën ndërkombëtare më universale, më përfaqësuese dhe më autoritare. Që atëherë, parimi i “Një Kine” është bërë konsensusi i gjerë i bashkësisë ndërkombëtare dhe një normë themelore e marrëdhënieve ndërkombëtare e respektuar në mënyrë universale.

“Kina është një vend mirënjohës dhe ne kurrë nuk e harrojmë veprimin e drejtë të palës shqiptare. Kina është gjithashtu një vend që vlerëson traditat dhe ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të çojmë përpara miqësinë tradicionale kino-shqiptare në periudhën e re historike,”u shpreh kreu i diplomacisë kineze.

Wang Yi tha se gjatë 50 vjetëve të fundit, Kina e ka respektuar gjithmonë sovranitetin e Shqipërisë dhe zgjedhjen e pavarur nga Shqipëria të rrugës së zhvillimit që u përshtatet kushteve të veta kombëtare. Kina është e gatshme të thellojë mirëkuptimin dhe mbështetjen e ndërsjellë me Shqipërinë, t’u japë një shtysë të re marrëdhënieve dypalëshe, të eksplorojë mënyra të reja për bashkëpunimin dypalësh dhe t’i shtojë elemente të reja miqësisë tradicionale.

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë Olta Xhaçka e uroi ngrohtësisht Republikën Popullore të Kinës për 50-vjetorin e rivendosjes së statusit së saj të ligjshëm në Kombet e Bashkuara. Ajo tha se është shumë e lumtur që priti vizitën e ministrit të Jashtëm të Kinës në Shqipëri në këtë vit të rëndësishëm për të përkujtuar këtë ngjarje historike me rëndësi të madhe. Shqipëria i përmbahet gjithmonë parimit të “Një Kine”, respekton sovranitetin, pavarësinë e integritetin territorial të Kinës dhe respekton normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare të mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera. “Kina është një partnere e rëndësishme dhe e veçantë e Shqipërisë. E falënderojmë Kinën për ndihmën e saj afatgjatë vetëmohuese për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë dhe për mbështetjen e fortë për luftën kundër pasojave të tërmetit dhe luftën kundër epidemisë,” tha Xhaçka. Ajo vuri në dukje se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kinës kanë ruajtur një prirje të mirë zhvillimi dhe Kina është bërë partnerja e tretë tregtare më e madhe e Shqipërisë. Pala shqiptare është e gatshme të punojë me palën kineze për të forcuar shkëmbimet e nivelit të lartë, për të kultivuar pika të reja të rritjes së bashkëpunimit dhe për të promovuar zhvillimin e ri të marrëdhënieve dypalëshe.

Të dy palët shkëmbyen mendime mbi ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë” dhe bashkëpunimin Kinë-Evropë Qendrore dhe Lindore. Wang Yi tha se nisma " Një brez, një rrugë” i përmbahet parimit të konsultimeve të gjera, kontributit të përbashkët dhe përfitimeve të përbashkëta, çiltërsisë, pastërtisë e koncepteve të gjelbra, si edhe standardeve të larta për të sjellë përfitime të qëndrueshme për jetesën e njerëzve. Kjo nismë është bërë një platformë e rëndësishme për bashkëpunimin ndërkombëtar. Bashkëpunimi Kinë-Evropë Qendrore dhe Lindore është një pjesë integrale e marrëdhënieve Kinë-BE dhe një shtojcë e nevojshme për bashkëpunimin Kinë-BE. Kina vlerëson pjesëmarrjen aktive të palës shqiptare në ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë” dhe në bashkëpunimin Kinë-Evropë Qendrore dhe Lindore, dhe është e gatshme të punojë me palën shqiptare për të nxitur bashkëpunimin me përfitime për popujt e të dy vendeve. Xhaçka tha se pala shqiptare vlerëson pozitivisht rolin e rëndësishëm të nismës "Një brez, një rrugë” dhe bashkëpunimin Kinë-Evropë Qendrore dhe Lindore për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, dhe është e gatshme të punojë me Kinën për të shfrytëzuar potencialet dhe për të nxitur bashkëpunimin dypalësh dhe shumëpalësh të arrijë rezultate të reja.

Të dyja palët ranë dakord për thellimin e shkëmbimeve dhe bashkëpunimit në fusha të ndryshme si antiepidemia, shkëmbimet njerëzore, pushteti vendor, arsimi dhe turizmi. Wang Yi tha se Kina ka përmbushur gjithmonë angazhimin e saj për t’i bërë vaksinat një produkt publik global. Ajo ka ofruar më shumë se 1.6 miliardë doza vaksinash në botë dhe më shumë se 120 vende kanë miratuar përdorimin e vaksinave kineze. Kina është e gatshme ta marrë nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi midis qendrave të kontrollit të sëmundjeve të të dy palëve si një mundësi për të forcuar bashkëpunimin në fushën e vaksinave dhe studimit e prodhimit të barnave, në mënyrë që të mbrohet më mirë jeta dhe shëndeti i popujve të të dy vendeve.

Të dyja palët shkëmbyen mendime edhe për çështje ndërkombëtare dhe rajonale me interes të përbashkët. Wang Yi e përgëzoi Shqipërinë për detyrën si vend anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit nga viti 2022 deri në vitin 2023 dhe theksoi se pala kineze është e gatshme të forcojë bashkërendimin dhe bashkëpunimin me palën shqiptare në Këshillin e Sigurimit, të promovojë paqen dhe sigurinë dhe të ruajë barazinë dhe drejtësinë. Wang Yi tha se Kina ka mbrojtur gjithmonë barazinë midis vendeve të mëdha e të vogla dhe nuk pajtohet me idenë që një vend mund të jetë superior ndaj të tjerëve. Presidenti Xi Jinping theksoi se rregullat ndërkombëtare duhet të formulohen dhe ndiqen bashkërisht nga shtetet anëtare të OKB-së e nuk mund të përcaktohen nga vende individuale, dhe nga kjo nuk duhet të ketë përjashtime. Kina është e gatshme të punojë me Shqipërinë për të mbështetur qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së, të mbështesë sistemin ndërkombëtar me OKB-në në thelb e rendin ndërkombëtar të bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe të praktikojë multilateralizmin e vërtetë.