Në Shqipëri, tregu i shërbimeve të pagesave po tërheq aktorë të rinj, shkruan “Monitor”. Vetëm këtë vit, Banka e Shqipërisë ka licencuar tre institucione të reja si emetues të parasë elektronike. Bëhet fjalë për “Paysera Albania”, “Rpay” dhe “Ereja”.

Me kompanitë e licencuara këtë vit, numri total i institucioneve të parasë elektronike arrin në gjashtë, duke iu shtuar subjekteve ekzistuese “Union Financiar Tiranë”, “Posta Shqiptare” dhe “Easypay”.

Një tjetër subjekt i interesuar për t’u licencuar në këtë aktivitet është kompania estoneze “IuteCredit”, që aktualisht vepron në Shqipëri në tregun e mikrokredisë.

Pagesat me para elektronike i referohen transaksioneve të kryera përmes institucioneve financiare të licencuara nga Banka e Shqipërisë për këtë shërbim.

Në thelb, pagesa me para elektronike është një formë pagese e ngjashme me pagesën me kartë bankare, por ndryshimi kryesor është se këto transaksione nuk kryhen përmes kartave dhe POS-eve të sektorit bankar, por nëpërmjet infrastrukturës së institucioneve të licencuara të parasë elektronike.

Këto pagesa po rriten me ritme të shpejta. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për gjysmën e parë të vitit 2021 numri total i pagesave me para elektronike arriti në 2.95 milionë, shifër kjo sa 78% e numrit të transaksioneve të realizuara gjatë të gjithë vitit 2020.

Rritja e përdorimit të këtyre pagesave po shoqërohet edhe me një zgjerim të shpejtë të infrastrukturës teknologjike që ato shfrytëzojnë. Sipas Bankës së Shqipërisë, në mesin e këtij viti numri i terminaleve për përdorimin e parasë elektronike arriti në 2025, nga 1600 që kishte qenë në fund të vitit të kaluar. (Fatosi)