Hungari universitetet atsh

Hungari universitetet atsh

Shqipëria dhe Hungaria konkretizojnë marrëveshjen e bashkëpunimit mes Universiteteve të Mjekësisë në fushën e kërkimit shkencor, doktoraturave të përbashkëta dhe programeve të shkëmbimit të eksperiencave ndërmjet dy universiteteve.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e pranishme në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes në Tiranë, mes rektorit të Universitetit të Mjekësisë së Tiranës prof. Arben Gjatës dhe rektorit të universitetit “Semmelweis” të Budapestit prof. Béla Merkely, u shpreh se ky hap është një garanci më shumë për rritjen e cilësisë së mësimdhënies por edhe cilësisë së shërbimit në qendrën më të madhe spitalore në vend.

“Nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit mes një prej universiteteve të mjekësisë më në zë në Evropë, universitetit “Semmelweis” të Budapestit dhe Universitetit të Mjekësisë së Tiranës është një lajm i mirë për përgatitjen e studentëve tanë, por edhe për shkëmbimet e vyera të stafeve mjekësore”, -tha Manastirliu.

Sipas saj, grupet e përbashkëta të punës, nën udhëheqjen e prof. Béla Merkely, rektor i universitetit “Semmelweis” dhe prof. Arben Gjatës, rektor i Universitetit të Mjekësisë së Tiranës, do të çojnë përpara bashkëpunimin konkret në fushën e kërkimit shkencor, doktoraturave të përbashkëta dhe programeve të shkëmbimit të eksperiencave ndërmjet dy universiteteve. (Elona)