Kumbaro atsh

Kumbaro atsh

Shqipëria është rreshtuar përkrah vendeve të Bashkimit Evropian me objektiva konkretë për uljen e emetimeve të CO2 me -20.9% brenda vitit 2030 dhe reduktimin në zero emetime të dyoksidit të karbonit brenda vitit 2050. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, nga Ministeriali për Mjedisin në Kajro, ku u mblodhën 42 vende anëtare të “Bashkimit për Mesdheun”, tha se asnjë vend nuk u shpëton dot pasojave të ndryshimeve klimatike, prandaj mobilizimi dhe solidariteti i të gjitha vendeve nuk pret.

Ministrja Kumbaro deklaroi se bashkë me kolegë të tjerë, ministra të Mjedisit dhe me komisionerin e BE-së për klimën, Frans Timmermans, u ra dakord se axhenda e gjelbër është busulla e re e vendimeve që do të merren.

“Mund të jemi të vegjël në raport me ndikimin që kanë shtetet e tjera, por natyra na shpërblen ose na godet të gjithëve njësoj. Prandaj nga sot të flasim më pak e të veprojmë më shumë për mjedisin, për fëmijët tanë, para se ata të na mallkojnë se u kemi marrë peng të ardhmen”, -tha Kumbaro. (Elona)