Së shpejti për drejtuesit e automjeteve do të aplikohet leja e re e qarkullimit të mjetit rrugor, e cila do të kushtojë më lirë dhe nuk do të ketë afat vlefshmërie.

Lajmin e bëri të ditur kreu i Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja, i cili tha se leja e re nuk do ketë vula kolaudimi, pra nuk do të bëhet e pavlefshme nga mungesa e vendit për vula si leja aktuale.

“Leja e re nuk ka afat vlefshmërie dhe përfshin të dhëna sipas kodeve të BE-së, datë regjistrimi për herë të parë, vit prodhimi, qiramarrës, etj”, -tha Gonxhja.

Po ashtu, ai theksoi se dokumenti i ri unifikon të dhënat dhe eliminon certifikatën e pronësisë së mjetit, raporton “RTSH”.

Kreu i Drejtorisë së Transportit Rrugor tha se leja e re do të ketë edhe kod QR drejtpërdrejt nga sistemi i DPSHTRR-së, mikrotekst, vizatim e grafika që ndryshojnë ngjyrën në këndvështrime të ndryshme drite.

Falë cilësisë, sigurisë dhe përputhshmërisë me Direktivën 1999/37/EC e 29 Prillit 1999 (e përditësuar, 2014), ajo eliminon nevojën për Leje Ndërkombëtare Mjeti! Sipas Gonxhjas, qytetari lehtësohet nga kosto e angari që përsëritej çdo tre vjet.

Ndërkohë, ai sqaroi se leja e re do të jepet për veprimet e reja me mjetin dhe nuk do të jetë e detyrueshme për qytetarët që kanë lejen aktuale të mjetit. (Irma)