Banka e Shqipërisë shprehet optimiste për rigjallërimin e aktivitetit ekonomik edhe në vitet e ardhshme. Në Raportin e Stabilitetit Financiar të BSH-së thuhet se ekonomia shqiptare u rrit ndjeshëm në tremujorin e parë të vitit 2021 me 5.53% në terma vjetorë.

Sipas Bankës Qendrore, përmirësimi i situatës së shëndetit publik, përshpejtimi i procesit të vaksinimit dhe politikat ekonomike stimuluese, u reflektuan në rigjallërimin e konsumit dhe të investimeve. Nga ana e sektorëve të ekonomisë, vlerësohet se rritja ekonomike ka qenë me bazë të gjerë, duke përfshirë sektorët e prodhimit dhe të shërbimeve, përcjell “ATSH”.

Ndërkohë që kontributi negativ i sektorit të jashtëm në rritjen ekonomike është zbutur nga ecuria e mirë e eksporteve të mallrave e shërbimeve dhe dërgesat e emigrantëve.

BSH-ja thekson se, disa tregues paralajmërues, sinjalizojnë për vijimin e ecurisë pozitive të ekonomisë edhe në tremujorin e dytë e të tretë të vitit. Por, gjithsesi, koordinimi i politikave ekonomike të përshtatshme, do të jetë i nevojshëm për të adresuar pasiguritë që vijimi i pandemisë ruan mbi ecurinë e ekonomisë dhe paralelisht për të ruajtur qëndrueshmërinë e treguesve afatgjatë makroekonomikë. (Irma)