Popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2021 rezulton 2.83 milionë banorë, duke pësuar rënie prej 0.6 % krahasuar me një vit më parë.

Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi të mërkurën raportin “Shqipëria në shifra” për vitin 2020. Referuar të dhënave në këtë raport, gjatë vitit 2020 kanë lindur rreth 28.1 mijë foshnje, ndërsa kanë vdekur rreth 27.6 mijë persona.

Numri i lindjeve vazhdon të tejkalojë numrin e vdekjeve, pavarësisht se diferenca midis tyre po ngushtohet me kalimin e viteve. Kjo diferencë në vitin 2020 është rreth 500 banorë.

Emigracioni neto vazhdon të mbetet negativ, me më shumë persona të larguar sesa të ardhur. Më 1 janar 2021, grupmosha 60-79 vjeç zinte 18.9 % të popullsisë gjithsej, nga 18.4 % që zinte më 1 janar të vitit 2020. Tendencë në rritje shfaq edhe grupmosha mbi 80 vjeç.

Grupmosha 0-14 vjeç paraqet tendencë në rënie, duke zënë 16.5 % të popullsisë më 1 janar të vitit 2021, krahasuar me 16.8 % që zinte më 1 janar të vitit 2020. (Elona)