Më 11 qershor u mbyll Ekspozita dhe Panairi i 2-të Ndërkombëtar i Mallrave të Konsumit Kinë-EQL në Ningbo. Përfaqësuesit nga 52 vende morën pjesë në këtë ekspozitë, ku u organizuan edhe 20 forume, bisedime ekonomiko-tregtare, aktivitete shkëmbimesh të qytetërimeve njerëzore etj. Ekspozita kishte një sipërfaqe të përgjithshme prej 200 mijë metrash katrore, afro 90 mijë metra katrorë më shumë në krahasim edicionin e parë, dhe mbi 3000 vende ekspozimi, duke tërhequr 2041 ekspozitues dhe 7468 blerës profesionistë. Kompania kineze BGI dhe kompanitë evropiane ‘’Gorenje‘’, ‘’Tescoma‘’ etj. morën pjesë në këtë ekspozitë. Përveç produkteve bujqësore të veçanta të Evropës Qendrore e Lindore, u ekspozuan produkte elektronike, të kujdesit shëndetësor dhe jetës etj. Në ekspozitë u shfaqën enët e kuzhinës dhe markat e pianos ‘’Petrof‘’ të Çekisë, aeroplanët nga Sllovenia, jahtet nga Polonia, automjetet rekreative nga Rumania, helikopteri ‘’WanFeng‘’ në bashkëpunim Kinë-Çeki, produktet e inteligjencës artificiale të "Huawei"-t etj.

Gjatë ekspozitës janë arritur marrëveshje paraprake blerjesh me vlerë të përgjithshme prej 10.78 miliardë juanësh dhe janë nënshkruar 97 projekte investimesh dypalëshe me vlerë të përgjithshme 18.21 miliardë dollarë amerikanë. Gjithashtu u formuan Aleanca e Industrisë së Shëndetit Publik Kinë-Vendet e Evropës Qendrore e Lindore dhe Aleanca Arsimore mes provincës Zhejiang dhe Vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore. Baza e Shkëmbimeve të Qytetërimeve Njerëzore Kinë-Vendet e Evropës Qendrore e Lindore, Baza e Krijimit të Karrierës për të Rinjtë të Evropës Qendrore dhe Lindore në Zonën Eksperimentale të Tregtisë së Lirë të Zhejiang të Kinës etj., gjithashtu u themeluan zyrtarisht. Rrjeti i Shkëmbimeve Arsimore të Vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, Platforma e Shërbimeve Digjitale "Yixinou" mes Kinës dhe Evropës etj. filluan funksionimin.Përveç kësaj, gjatë ekspozitës, u organizuan Forumi i Kryetarëve të Bashkive Kinë-Vendet e Evropës Qendrore e Lindore, Forumi i Zhvillimit të "Tregtisë Elektronike të Rrugës Mëndafshit" dhe aktivitete të tjera. (Xu Guang/Artan)