Shqipëria ka hyrë në valën e dytë të pandemisë. Rastet ditore që po i afrohen shifrës 300 si dhe rritja e shtrimeve në spital tregojnë për një situatë serioze nga përhapja e virusit.
Për shefin e Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, këto nivele infektimi ishin të pritshme pas hapjes së shkollave: “Në këtë periudhë ishte normale që do të kishte rritje të rasteve për shkak të hapjes së shkollave, për arsye të ftohjes së motit dhe ndryshimit të kushteve ambientale. Këto janë në favor të virusit në këto momente”.
Brataj parashikon përkeqësim të situatës dhe nevojën për aplikimin e masave të tjera shtrënguese. Nuk bëhet fjalë për një mbyllje tjetër, thotë Brataj, por masa kufizuese ashtu siç po aplikohen në vendet e tjera, shkruan “A2”.
Me rritjen e infektimeve, Urgjenca Kombëtare ka shtuar numrin e ekipeve në terren për të trajtuar të sëmurët, që e kalojnë koronavirusin në shtëpi. Brataj tërheq vëmendjen e mjekëve të familjes në lidhje me protokollin e mjekimit ndaj pacientëve me Covid. “Format e lehta të sëmundjes mund të trajtohen me paracetamol. Nëse gjendja rëndohet, vijon temperatura dhe kolla, atëherë mund të fillohet një antibiotik pas javës së parë. Ndërsa në ditën e 8-10, personat që kanë një ecuri më të keqe dhe që kanë vështirësi në frymëmarrje mund të bëjnë një skaner për gjendjen e mushkërive dhe në këtë moment mund të vendoset në terapi kortizonike”, -tha Brataj.(Foto nga RTSH)