Kryeministri Rama dhe ministrja e Arsimit Evis Kushi promovuan nga Lezha platformën mësimore online “Akademi.al”, e cila do t’i përgjigjet sfidave aktuale me të cilat përballet arsimi, por që sipas tyre do t’u japë zgjidhje edhe klasave kolektive.

“Më ketë nismë zgjidhim problemin e klasave kolektive dhe ofrojmë akses në mësim me mësuesit më të mirë të Shqipërisë. Kjo platformë u jep mundësi prindërve që në përpjekje për të ndihmuar fëmijët të aktualizojnë dijet dhe njohuritë e tyre dhe të kenë ndihmën e drejpërdrejtë të mësuesit pa pasur nevojë ta takojnë atë”, -deklaroi Rama.

Ministrja Kushi theksoi problematikën që ekziston me klasat kolektive, por deklaroi se do të shpërndahen tablelat digjitale për nxënësit që vijnë nga këto klasa.

“Klasat kolektive vazhdojnë të jenë ende një realitet po adresojmë këtë problem. Do të shpërndajmë tableta digjitalë për nxënësit që vijnë nga klasa kolektive, në kuadër të digjitalizimit kemi pasur mbështetjen e partnerëve, donatorëve dhe bizneseve”, tha ajo.

Sipas ministres Kushi, “Akademi.al” është një platformë që përfshin çdo temë mësimi nga 3-18 vjeç, është falas dhe ecën paralelisht me strategjitë e ministrisë për cilësinë dhe gjithëpërfshirjen. Deri tani në të janë regjistruar 100 mësues dhe 20 mijë nxënës.