Qeveria shqiptare ka marrë vendimin për t’u angazhuar financiarisht nëpërmjet mekanizmit COVAX, për të pasur vaksinën e sigurt anti-Covid. Në një takim të organizuar me ekspertë të komitetit të imunizimit në Institutin e Shëndetit Publik, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se Shqipëria do të ketë të drejtën të zgjedhë vaksinën më të sigurt, duke u angazhuar financiarisht në një mekanizëm ndërkombëtar, ashtu si mbi 80 shtete të tjera në të gjithë botën, përfshirë edhe vendet e Bashkimit Evropian.
Gjatë takimit me ekspertët, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se çdo hap drejt përzgjedhjes së vaksinës së sigurt do të hidhet me shumë kujdes.
“COVAX Facility” është një mekanizëm ndërkombëtar që koordinon resurset dhe kërkesën për vaksinë ndaj COVID-19 me kapacitetet prodhuese të kësaj vaksine. Fillimisht, do të furnizohen të gjitha vendet me doza për të mbuluar 20% të popullsisë. Më pas do të vijojë furnizimi i vendeve me pjesën e mbetur të dozave të kërkuara (nëse janë më shumë sesa 20%).