Të dielën, treni i mallrave Kinë-Evropë (Xian-Hamburg) u nis nga Stacioni Ndërkombëtar i Trenit i Xian-it. Kjo tregon se numri i udhëtimeve të trenave të mallrave Kinë-Evropë këtë vit ka shkuar tashmë në 10 mijë, dhjetë ditë më parë sesa u arrit kjo shifër vitin e kaluar.
Në të njëjtën ditë, një anije e ngarkuar me një tren të shpejtësisë së lartë dhe një tren inspektimi për hekurudhën me shpejtësi të lartë Xhakartë-Bandung në Indonezi, filloi lundrimin nga porti i qytetit Qingdao. Kjo është hera e parë që Kina eksporton trena të shpejtësisë së lartë.
Vitet e fundit, në Kinë janë zbatuar shumë projekte bashkëpunimi në sektorin hekurudhor, që është bërë "çelësi i artë" i nxitjes së zhvillimit ekonomik-shoqëror vendor.
Për shembull, porti i Duisburgut në rajonin e Ruhrit, një bazë tradicionale industriale në Gjermani, gjendej në vështirësi për shkak të rënies së industrisë së qymyrgurit, por vënia në funksionim e trenave të mallrave Kinë-Evropë nxiti kthimin e tij në qendër të logjistikës evropiane. Thomas Krajnicki, punëtor gjerman në depon e një kompanie kineze në qytetin Duisburg, shprehet: "E kam filluar këtë punë në shtator 2019 dhe, gjatë këtyre afro tre vjetëve, kam ndier se puna është bërë më e ngarkuar. Më vjen mirë që kam një punë të tillë, sepse jam 55 vjeç dhe sigurova një punë fikse. Kjo nuk është e zakonshme në Gjermani."
Sipas të dhënave, deri tani ka 82 linja hekurudhore të trenit të mallrave Kinë-Evropë, duke mbuluar 200 qytete të 24 vendeve evropiane. Vëllimi i mallrave të transportuara është afro 900 herë më shumë se në vitin 2011, kur këta trena nisën qarkullimin. Mallrat e transportuara përfshijnë automjete, pajisje e makineri, produkte elektronike etj., me një vlerë të përgjithshme afro 300 miliardë dollarë amerikanë.
Trenat e mallrave ndërmjet Kinës e Evropës i sollën qytetit Duisburg raste të reja dhe kanë siguruar një jetë më të mirë për punonjësit vendorë. Por edhe banorët që jetojnë përgjatë hekurudhës së shpejtësisë së lartë Xhakartë-Bandung kanë përfituar gjithashtu shumë. Pas ndërtimit të kësaj linje hekurudhore, koha e udhëtimit mes kryeqytetit të Indonezisë dhe qytetit të 4-t më të madh të vendit, u shkurtua nga 3 orë në 40 minuta. Për shumë prej këtyre banorëve, kjo jo vetëm ka kursyer kohën, por edhe ka krijuar hapësira zhvillimi dhe stil të ri jetese.
Për shembull, rajoni Walini, nëpër të cilin kalon hekurudha me shpejtësi të lartë Xhakartë-Bandung, ka panorama të bukura, por edhe një nivel të ulët ekonomik për shkak të vështirësive të transportit. Me nxitjen e projektit të linjës hekurudhore, makinat dhe motoçikletat në këtë rajon janë shtuar dukshëm dhe shtëpitë e banorëve afër hekurudhës u zbukuruan për shkak të rindërtimit. Në të ardhmen, përreth stacionit hekurudhor të Walini-t do të ndërtohet një qytet i ri, që do të kthehet në një qendër shëndeti, të kalimit të kohës së lirë nga të moshuarit, mjekimi, arsimi dhe turizmi në provincën e Javës Perëndimore.
"Hekurudha e shpejtësisë së lartë Xhakartë-Bandung do të bëhet krenaria e popullit indonezian," u shpreh guvernatori i Javës Perëndimore Ridwan Kamil.
Në kohët e sotme, zhvillimi global përballon sfida të shumta për shkak të epidemisë, konfliktit në Ukrainës etj. Që nga trenat e mallrave Kinë-Evropë deri te hekurudha me shpejtësi të lartë Xhakartë-Bandung, këto arritje simbol të nismës "Një brez, një rrugë" dëshmojnë përpjekjet e pandërprera të Kinës për të zgjidhur problemet e zhvillimit global dhe për të nxitur zhvillimin e përbashkët.
Deri tani, mbi 140 vende kanë nënshkruar dokumente bashkëpunimi për nismën "Një brez, një rrugë" me Kinën. Vjet, vlera e tregtisë së mallrave ndërmjet Kinës dhe vendeve pjesëmarrëse në këtë nismë ishte në 11.6 trilionë juanë, ndërsa investimet e drejtpërdrejta në këto vende arritën në 138.45 miliardë juanë.
"Kina ka dhënë me veprime konkrete ndihmë për kapërcimin e përbashkët të vështirësive," u shpreh një punonjës i kompanisë hekurudhore kombëtare të Francës, i cili e kupton thellësisht rolin e rëndësishëm të trenave të mallrave Kinë-Evropë gjatë epidemisë për lehtësimin e mungesës së materialeve antiepidemike.
Mund të thuhet që, në të ardhmen, trenat e mallrave Kinë-Evropë do të shkruajnë kapituj të rinj në historinë e zhvillimit të përbashkët. (Xu Guang)