Ambasadori kinez në ShBA Qin Gang dha të martën në Uashington një intervistë të përbashkët për mediat kryesore në ShBA, duke përfshirë "Reuters", "Associated Press", "Bloomberg", Radion Publike Kombëtare, "The Washington Post", "The Wall Street Journal", "The New Yorker", "The Hill", "POLITICO", "Axios" e "Defense One". Ai iu përgjigj pyetjeve mbi marrëdhëniet Kinë-ShBA, çështjen e Tajvanit, çështjet lidhur me Hong-Kongun dhe diplomacinë kineze.

Në fjalën e vet të hyrjes, Qin Gang tha: "Jam i sigurt që jeni këtu sepse jeni shumë të interesuar për një çështje. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Nancy Pelosi, vizitoi rajonin e Tajvanit të Kinës, pavarësisht kundërshtimit të vendosur dhe pakënaqësisë së përsëritur të Kinës. Ajo shkoi atje në bashkëpunim të heshtur dhe në marrëveshje me qeverinë e ShBA-së. Kjo ka shkelur seriozisht parimin e 'Një Kine', ka cenuar rëndë sovranitetin e Kinës, ka ndërhyrë brutalisht në punët e brendshme të Kinës, ka shkelur seriozisht angazhimet e marra nga ShBA-ja dhe ka dëmtuar ndjeshëm paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit".

Faktet kanë dëshmuar se ky është një provokim dhe farsë tërësisht politike dhe Kina e dënon ashpër dhe e kundërshton me vendosmëri atë, tha ambasadori. "Ne e kemi shprehur plotësisht qëndrimin tonë dhe kemi marrë kundërmasa në përgjigje të tij," shtoi ai.

ShBA-ja pretendon se Kina po e përshkallëzon situatën, po reagon më shumë se ç'duhet dhe po e përdor vizitën e Pelosit si pretekst për të krijuar një "normalitet të ri", por fakti themelor është se pala amerikane e ndërmori hapin e parë për të provokuar Kinën për çështjen e Tajvanit, theksoi ambasadori. Sipas tij, kjo ka cenuar hapur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës, e cila bëri përpjekjet maksimale për ta parandaluar këtë krizë.

Pozicioni i Kinës është legjitim, i arsyeshëm e i bazuar në ligj dhe masat e saj janë të vendosura, të fuqishme dhe përpjesëtimore, shtoi përfaqësuesi i diplomacisë kineze në ShBA. Stërvitjet ushtarake të Kinës janë të hapura, transparente e profesionale dhe në përputhje me ligjet e brendshme të Kinës, të drejtën nndërkombëtare dhe praktikat ndërkombëtare. "Është e natyrshme, legjitime dhe ligjore që Kina të mbrojë integritetin e vet territorial dhe t'i bëjë ballë ndarjes së territorit të saj. Ne nuk kemi nevojë për asnjë justifikim për këtë dhe ShBA-ja nuk duhet të ndihet e befasuar prej kësaj," theksoi Qin.

Sipas tij, ShBA-ja pretendon se synimi i Kinës për ribashkim është një "kërcënim" për Tajvanin dhe se pjesa kontinentale po ndryshon "statukuonë", por një fakt themelor është se Tajvani është pjesë e pandashme e territorit kinez. Tajvani nuk ka qenë kurrë vend, theksoi ambasadori, duke kujtuar se në kushtetutën e Kinës dhe ligje të tjera është përcaktuar që Tajvani është pjesë e Kinës. "Deklarata e Kajros thotë se të gjitha territoret që Japonia u vodhi kinezëve do t'i rikthehen Kinës, ndërsa Deklarata e Potsdamit ritheksoi zbatimin e dispozitave të Deklaratës së Kajros. Rezoluta 2758 e OKB-së, e miratuar në vitin 1971, e ka zgjidhur një herë e përgjithmonë çështjen e përfaqësimit të mbarë Kinës, përfshirë Tajvanin, në OKB në aspektin politik, ligjor dhe procedural," u shpreh për mediet ambasadori kinez në ShBA Qin Gang.