Foto: VCG

Foto: VCG

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze Wang Wenbin theksoi në një konferencë të rregullt shtypi të premten që, pavarësisht se si ndryshon situata ndërkombëtare, vendosmëria e Kinës për të zgjeruar hapjen me nivel të lartë nuk do të ndryshojë.

Ai i tha këto duke iu përgjigjur pyetjeve mbi raportin e fundit të studimit të mjedisit të biznesit me investime të huaja në Kinë, të publikuar nga Këshilli për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare i Kinës. Në këtë raport vihet në dukje se pjesa dërrmuese e kompanive me financim të huaj janë optimiste për perspektivat e zhvillimit afatgjatë në Kinë. Wang Wenbin theksoi se ndërmarrjet me financim të huaj kanë besim, sepse ato janë optimiste për qëndrueshmërinë e fortë dhe perspektivat e zhvillimit të ekonomisë kineze, për tregun supergjigant kinez dhe për rrjetin e zinxhirëve të furnizimit e të prodhimit të Kinës. Nga ana tjetër, Kina nxit hapjen e nivelit të lartë dhe mbështet sistemin tregtar shumëpalësh, duke ofruar një mjedis biznesi të orientuar nga tregu, me sundim të ligjit dhe të ndërkombëtarizuar. Pavarësisht se si ndryshon situata ndërkombëtare, nuk do të ndryshojë vendosmëria e Kinës për të zgjeruar hapjen me nivel të lartë, për të ndarë rastet e zhvillimit me botën dhe për të nxitur një globalizim më të hapur, më përfshirës, më të balancuar e me përfitime për të gjithë.

Zëdhënësi theksoi gjithashtu se Kina beson që, me zbatimin e thelluar të politikave dhe masave për të bashkërenduar parandalimin dhe kontrollin e epidemisë me zhvillimin ekonomik e shoqëror, do të shfaqen karakteristikat e zhvillimit të ekonomisë kineze me potencial të madh, elasticitet të fortë, gjallëri të fuqishme dhe hapësirë të gjerë. Kina do të vazhdojë të hapë dyert e saj për të lehtësuar invesimet e bizneseve nga e gjithë bota dhe për të punuar së bashku për një të ardhmen më të bashkuar dhe më të lulëzuar. (Çang Çuo)