Në librin e bardhë “Çështja e Tajvanit dhe ribashkimi i Kinës në epokën e re”, të publikuar të mërkurën, përfshihet edhe një fjali: “Punët e brendshme e Kinës duhet të vendosen nga vetë kinezët”. Sipas një komenti të Grupit Mediatik të Kinës, kjo dërgon një sinjal të qartë se çështja e Tajvanit është punë e brendshme e Kinës, që ka të bëjë me interesat thelbësorë dhe ndjenjat e kombit kinez, dhe në të nuk lejohet asnjë ndërhyrje e huaj.

Në koment thuhet se qeveria kineze, nëpërmjet librit të bardhë, e njohu bashkësinë ndërkombëtare me historinë e çështjes së Tajvanit, duke hartuar një perspektivë të ndritur të ribashkimit të vendit sipas parimit “Një vend, dy sisteme”. Ky është jo vetëm reagim i fortë ndaj vizitës së Nancy Pelosit në Tajvan, por edhe paraqet strategjinë e përgjithshme të zgjidhjes së problemit të Tajvanit në epokën e re.

Çfarë është parimi i “Një Kine”? Përgjigjja është: në botë ka vetëm një Kinë, Tajvani është një pjesë e pandashme territoriale e Kinës dhe Republika Popullore e Kinës është e vetmja qeveri e ligjshme që përfaqëson gjithë Kinën. Kjo është baza politike e shkëmbimeve të Kinës me vendet e tjera, që mbështetet fuqishëm në faktet historike. Që nga Deklarata e Kajros e vitit 1943 deri në Deklaratën e Potsdamit të vitit 1945, është qartësuar se Kina ka sovranitet territorial mbi Tajvanin. Rezoluta nr. 2758 e miratuar në vitin 1971 në sesionin e 26-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së është një dokument me fuqi ligjore që mbështet parimin e “Një Kine”. Pas vizitës së Nancy Pelosit në Tajvan, mbi 170 vende e organizata ndërkombëtare shprehën përkrahje ndaj këtij parimi, gjë që ka vërtetuar përsëri historinë e qartë të këtij problemi.

Kryeqendra e Tajvanit, qytet Taipei(Foto:VCG)

Kryeqendra e Tajvanit, qytet Taipei(Foto:VCG)

Vitet e fundit, ShBA-ja ka shtuar veprimet për të turbulluar dhe dëmtuar integritetin e parimit të “Një Kine”. Nga shitjet e pandërprera të armëve dhe ndihma për zgjerimin e së ashtuquajturës “hapësirë ndërkombëtare” e Tajvanit, deri në vizitën e Pelosit në Tajvan, pala amerikane ka krijuar vazhdimisht pengesa për realizimin e ribashkimit të Kinës, duke u bërë sabotuesja më e madhe e paqes midis dy brigjeve të ngushticës së Tajvanit. Si reagim, Kina ka marrë një sërë masash të fuqishme, të arsyeshme, të ligjshme dhe të domosdoshme.

Në librin e bardhë përshkruhet për herën e parë perspektiva e ribashkimit paqësor në bazë të parimit “Një vend, dy sisteme”. Kështu, do të sigurohen mundësi më të mëdha zhvillimi për Tajvanin, do të garantohen plotësisht interesat e banorëve tajvanezë, do të nxitet më tej lulëzimi i kombit kinez dhe do të promovohet paqja e zhvillimi i rajonit të Azi-Paqësor dhe i tërë botës.