Foto nga VCG

Përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara dhe presidenti i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për muajin gusht, Zhang Jun, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mbështesë Afrikën në rritjen e kapaciteteve për të siguruar paqe të qëndrueshme në një qasje gjithëpërfshirëse.

“Këshilli i Sigurimit duhet të mendojë thellë për të ndihmuar Afrikën të arrijë paqen e qëndrueshme”,- tha Zhang në një debat të hapur të Këshillit të Sigurimit të thirrur nga Kina me temën “Paqja dhe siguria në Afrikë: ndërtimi i kapaciteteve për ruajtjen e paqes”. Duke marrë parasysh përvojën e zhvillimit të Kinës, përvojën nga bashkëpunimi Kinë-Afrikë dhe mësimet historike nga e gjithë bota, Kina beson se për të ndihmuar Afrikën të arrijë stabilitet afatgjatë, është e domosdoshme të bëhen investime të qëndrueshme dhe të shtuara, citon “Xinhua”.

Embargot e armëve të vendosura nga Këshilli i Sigurimit ndaj vendeve si Sudani, Sudani i Jugut, Somalia dhe Republika Demokratike e Kongos kanë një ndikim negativ në ngritjen e kapaciteteve të sektorëve të sigurisë në këto vende dhe duhet të rregullohen dhe hiqen me kohë. Financimi i operacioneve të paqes të udhëhequra nga Bashkimi Afrikan ka qenë një vështirësi e vazhdueshme, që kërkon një zgjidhje, tha ai.

Zhang nënvizoi nevojën për të mbështetur vendet afrikane në përmirësimin e kapaciteteve të tyre të zhvillimit të qëndrueshëm. Aktualisht, kontinenti afrikan ka plot sfida ekonomike, financiare, ushqimore, energjetike dhe të tjera. Sipas tij, këto lidhen me një situatë të trazuar ndërkombëtare, por shkaku themelor është rendi i padrejtë ekonomik ndërkombëtar.

Zhang bëri thirrje gjithashtu për përpjekje për të mbështetur vendet afrikane në ndërtimin e një grupi më të madh talentesh: “Komuniteti ndërkombëtar duhet të ndihmojë vendet afrikane të trajnojnë më shumë talente bazuar në nevojat urgjente në rindërtim dhe zhvillim social dhe ekonomik”. (Elona)