Komanda e Zonës Lindore e Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës organizoi të enjten stërvitje të përbashkëta në një shkallë të paprecedentë të orientuara drejt luftimit real në hapësirën detare e ajrore rreth ishullit të Tajvanit, dhe kreu me sukses gjuajtje me municion luftarak nga largësia në zonën detare të paracaktuar.

Rreth orës 13:00 të së enjtes, u kryen prova me një numër raketash të reja me rreze të gjatë, të cilat goditën objektivat me saktësi në zona specifike në pjesën lindore të ngushticës së Tajvanit.

Po në pasditen e asaj dite, Forcat Raketore të Komandës së Zonës Lindore kryen goditje me lloje të ndryshme raketash konvencionale në ujërat e paracaktuara në brigjet lindore të ishullit Tajvan. Të gjitha raketat goditën me saktësi zonën e synuar, duke testuar aftësitë e trupave pjesëmarrëse për goditje të sakta dhe moslejimin e kalimit të armikut.

Forcat Ajrore dhe Forcat e Aviacionit Detar të Komandës dërguan më shumë se 100 lloje avionësh ushtarakë, duke përfshirë avionë luftarakë, avionë bombardues, avionë të paralajmërimit të hershëm etj., që kryen zbulimin e përbashkët gjatë ditës dhe natës, kontrollin dhe koordinimin e shumë forcave, kontrollin afatgjatë të vazhdueshëm ajror dhe goditjen me precizion me intensitet të lartë.

Më shumë se 10 destrojerë dhe fregata të Marinës së Komandës kryen në mënyrë të njëpasnjëshme operacione të përbashkëta në ujërat përreth ishullit të Tajvanit.

Liu Dongkun, zv.drejtori i zyrës së Departamentit të Shtabit të Përgjithshëm të Komandës së Zonës Lindore, tha se trupat e kësaj komande treguan shpirtin e guximit e të luftës për fitore, përmbushën me vendosmëri detyrat dhe mbrojtën me vendosmëri sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial.(Zhan Dian/Artan)