VCG

VCG

Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi u bëri thirrje të enjten të gjitha palëve që të vazhdojnë të mbështesin pozicionin dhe masat e ligjshme të Kinës dhe të ruajnë së bashku paqen në rajon e në ngushticën e Tajvanit.

Gjatë pjesëmarrjes në mbledhjen e ministrave të jashtëm Kinë-ASEAN në Kamboxhia, ai përsëriti gjithashtu qëndrimin e Pekinit ndaj provokimit nga ana e ShBA-së të sovranitetit të Kinës.

Wang Yi tha se, duke shkelur ligjin ndërkombëtar dhe angazhimet dypalëshe, duke minuar paqen në brigjet e ngushticës së Tajvanit dhe duke mbështetur forcat separatiste e duke nxitur kundërvënien, ShBA-ja luan "një bixhoz politik me efekte negative".

Duke e quajtur ShBA-në “minuesen më të madhe të paqes në ngushticën e Tajvanit dhe dëmtuesen më të madhe të stabilitetit rajonal”, kryediplomati kinez u bëri thirrje të gjitha palëve të njohin shkakun dhe thelbin e krizës të tanishme dhe të kundërshtojnë së bashku rrezikun dhe provokimet e krijuara prej palës amerikane.

Wang vuri në dukje më tej që përshkallëzimi i tensioneve në ngushticën e Tajvanit u provokua nga pala amerikane. Sipas tij, Kina ka bërë përpjekje maksimale diplomatike për të shmangur krizën e imponuar ndaj saj dhe nuk do të lejojë kurrë dëmtimin e interesave të veta thelbësore dhe procesin e përtëritjes kombëtare.

Masat e gjithanshme që ka marrë dhe do të marrë Kina, janë "kundërmasa mbrojtëse të nevojshme dhe në kohë", që janë shqyrtuar e vlerësuar me kujdes, tha ministri i Jashtëm, duke shtuar që këto masa synojnë të mbrojnë sovranitetin e sigurinë kombëtare dhe janë në përputhje me ligjet ndërkombëtare dhe të brendshme.