Foto: Përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, Zhang Jun/ Xinhua

Foto: Përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, Zhang Jun/ Xinhua

Përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, Zhang Jun, shtjelloi të hënën qëndrimin e vendit të tij mbi çështjen e Tajvanit dhe vizitën e mundshme të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Nancy Pelosi në këtë rajon të Kinës, duke e quajtur këtë vizitë “të rrezikshme dhe provokuese”.

“Parimi i ‘Një Kine’ është vija e kuqe e marrëdhënieve të Kinës me vendet e tjera dhe nuk do të lejojmë askënd që ta shkelë këtë vijë”, tha për median z. Zhang.

Duke theksuar se Tajvani është një pjesë e pandashme territoriale e Kinës, ai përsëriti se Pekini kundërshton çdo veprim pro “pavarësisë së Tajvanit” dhe çdo ndërhyrje të huaj, dhe nuk lejon asnjë hapësirë për “pavarësinë e Tajvanit” të çfarëdo forme.

Zhang Jun vuri në dukje se ditët e fundit, Kina ia ka ritheksuar në mënyrë të qartë palës amerikane shqetësimet serioze dhe kundërshtimin e saj për vizitën e mundshme të Pelosit në Tajvan. Sipas tij, kjo do të dërgojë një sinjal të gabuar për elementet separatiste që synojnë “pavarësinë e Tajvanit”.

Ai shtoi se ky veprim do të cenojë parimin e “Një Kine”, sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kinës, paqen e stabilitetin në ngushticën e Tajvanit dhe marrëdhëniet midis Kinës dhe ShBA-së.

“Kina është e përgatitur plotësisht për t’u përgjigjur. Nëse ShBA-ja këmbëngul në këtë vizitë, Kina do të marrë masa të vendosura dhe të fuqishme për të mbrojtur sovranitetin dhe tërësinë territoriale. ShBA-ja duhet të mbajë përgjegjësinë për të gjitha pasojat e rënda”, tha ai.

“Çështja e Tajvanit ka të bëjë me interesat thelbësore të Kinës dhe është pjesa më e rëndësishme e më e ndjeshme të marrëdhënieve Kinë-ShBA”, vuri më tej në dukje ambasadori Zhang, duke e nxitur palën amerikane të mbajë premtimet e saj, të zbatojë si duhet parimin e “Një Kine” dhe komunikatat e përbashkëta kino-amerikane dhe të punojë me Kinën për të kundërshtuar vendosmërisht “pavarësinë e Tajvanit”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve që bënin krahasim mes vizitës së Pelosit me atë të kryetarit të Senatit së ShBA-së Newt Gingrich në vitin 1997, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB tha se “një gabim i mëparshëm nuk e bën të ligjshëm atë në vijim”.