Bashkëshortja e presidentit kinez Xi Jinping, Peng Liyuan, u takua të martën me Iriana Joko Widodon, bashkëshorten e presidentit indonezian Joko Widodo, në Shtëpinë Shtetërore të Pritjes "Diaoyutai" në Pekin.

Kina dhe Indonezia janë fqinje të rëndësishme të njëra-tjetrës dhe miqësia ndërmjet dy popujve tanë i ka rrënjët që në lashtësi, u shpreh znj. Peng, duke shtuar se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë bërë gjithnjë e më të ngushta vitet e fundit dhe shkëmbimet njerëzore kanë qenë mjaft të shpeshta.

Bashkëshortja e presidentit kinez Xi Jinping, Peng Liyuan, u takua të martën me Iriana Joko Widodon, bashkëshorten e presidentit indonezian Joko Widodo, në Pekin, Kinë.26 korrik.2022./Xinhua

Bashkëshortja e presidentit kinez Xi Jinping, Peng Liyuan, u takua të martën me Iriana Joko Widodon, bashkëshorten e presidentit indonezian Joko Widodo, në Pekin, Kinë.26 korrik.2022./Xinhua

Zonja e Parë e Kinës vuri në dukje gjithashtu se Indonezia është destinacioni i dytë më popullor për turistët kinezë dhe shprehu shpresën që të dy vendet të vazhdojnë të thellojnë shkëmbimet dypalëshe.

Duke shprehur falënderime për pritjen e ngrohtë nga presidenti Xi dhe bashkëshortja e tij, Iriana Joko Widodo theksoi se është e lumtur që sheh miqtë e vjetër përsëri në Pekin, dhe mirëpriti më shumë turistë kinezë të vizitojnë Indonezinë.

Ajo shprehu gjithashtu dëshirën e saj për një miqësi të qëndrueshme ndërmjet Kinës dhe Indonezisë.

Zonjat Peng Liyuan dhe Iriana Joko Widodo shijuan gjithashtu shfaqje me muzikë popullore nga profesorë dhe studentë të Konservatorit të Muzikës të Kinës, këngën popullore kineze "Kënga e natës mes barkave të peshkimit" e interpretuar me veglën muzikore tradicionale kineze me tela guzheng dhe këngën popullore indoneziane "Kënga e barkës", e luajtur me ruan, një instrument muzikor kinez me katër tela.

Zonja Peng i foli bashkëshortes së presidentit të Indonezisë për historinë e gjatë të instrumenteve muzikore tradicionale kineze dhe karakteristikat artistike të teknikave të interpretimit.

E mahnitur nga bukuria e muzikës instrumentale kineze, Iriana Joko Widodo tha se u prek thellë kur artistët e rinj kinezë interpretuan këngën popullore indoneziane.

Muzika nuk ka kufij kombëtarë dhe mund të komunikojë atë që ndien zemra dhe të përcjellë miqësi, theksoi znj. Peng, duke shprehur shpresën që shkëmbimet kulturore dhe mësimi i ndërsjellë të luajnë një rol edhe më të madh në forcimin e miqësisë ndërmjet dy vendeve.

Iriana Joko Widodo shoqëroi bashkëshortin e saj, presidentin indonezian Joko Widodo, gjatë vizitës së tij dyditore në Kinë që u mbyll të martën.