Ekuipazhi i anijes kozmike kineze "Shenzhou-14" hyri në modulin laboratorik "Wentian" të hënën, më 10:03 të paradites sipas orës së Pekinit, njoftoi Agjencia e Fluturimeve Hapësinore me Astronautë e Kinës (CMS). Kjo shënon herën e parë që astronautët kinezë, ose taikonautët siç quhen ndryshe, hyjnë në një modul laboratorik në orbitë.

Sipas planit, në orbitë do të kryhen veprime të tilla si kontrolli i qëndrimit të integruar të stacionit hapësinor, si edhe teste të krahut të vogël robotik të "Wentian"-it e të krahut robotik më të madh të modulit bazë.

Moduli laboratorik "Wentian", që u nis të dielën pasdite, u lidh me portën e përparmë të modulit bazë "Tianhe" të stacionit hapësinor të Kinës më 3:13 të mëngjesit të së hënës sipas orës së Pekinit, pasi hyri në orbitën e planifikuar dhe përfundoi vendosjen e parametrave.

Kjo është hera e parë që dy anije hapësinore kineze me peshë 20 tonë takohen dhe bashkohen në orbitë, dhe gjithashtu hera e parë që takimi e bashkimi hapësinor u kryen gjatë qëndrimit në orbitë të astronautëve në stacionin hapësinor, njoftoi CMS-ja.

Për herë të parë, taikonautët në orbitë do të përdorin kabinën e presionit të "Wentian"-it për të kryer aktivitete jashtë mjeteve kozmike. Kabina nyjë në modulin bazë, e cila zakonisht shërben si dalje dhe hyrje për këto aktivitete, do të bëhet një mbështetëse për kabinën e presionit.