Policja po krijon ndërgjegjësim për ligjet që lidhen me dhunën në familje për banorët në Huaibei, provinca Anhui e Kinës lindore, 23 nëntor 2021./CFP

Policja po krijon ndërgjegjësim për ligjet që lidhen me dhunën në familje për banorët në Huaibei, provinca Anhui e Kinës lindore, 23 nëntor 2021./CFP

Gjykata e Lartë e Kinës ka nxjerrë një udhëzues të ri për të ofruar akses më të lehtë në mbrojtjen personale dhe masa të zgjeruara mbrojtëse për viktimat e dhunës në familje, njofton “CGTN”. Udhëzuesi do të hyjë në fuqi nga 1 gushti.

I miratuar në vitin 2016, ligji kundër dhunës në familje, i pari i këtij lloji në Kinë, kërkoi të mbronte viktimat e dhunës në familje duke i lejuar ato të aplikonin për urdhra të mbrojtjes personale. Megjithatë, vitet e fundit ka pasur vështirësi për ta bërë ligjin vërtet efektiv.

Udhëzuesi përfshin më shumë situata që lindin nga dhuna në familje, të tilla si refuzimi i ushqimit për anëtarët e familjes, fyerjet e shpeshta, shpifjet, kërcënimet, ndjekjet dhe ngacmimet.

Gjithashtu, ai ul pragun e mbledhjes së provave për viktimat që të aplikojnë për urdhra mbrojtjeje. Ai rendit 10 lloje sjelljesh si prova, si regjistrimet telefonike, mesazhet ose emailet mes viktimave dhe autorëve të dyshuar, të dhënat e trajtimit mjekësor të viktimave, dëshmitë e fëmijëve të mitur, të afërmve, miqve apo fqinjëve, etj.

Për të siguruar që urdhrat e mbrojtjes të vijnë në kohë për të ndaluar dhunën në familje, udhëzimi gjithashtu sqaron se urdhrat mund të aplikohen, rishikohen dhe ekzekutohen në mënyrë të pavarur. Për ata që nuk janë në gjendje të aplikojnë vetë për urdhra mbrojtjeje, udhëzimi u lejon të afërmve të afërt, autoriteteve të sigurisë publike, federatave të grave dhe të tjerëve të ndihmojnë në aplikimin.

Deri më 31 dhjetor 2021, gjykatat kishin lëshuar 10.917 urdhra për mbrojtje personale për viktimat e dhunës në familje. (Fatosi)