Foto: VCG

Foto: MPJ

Kina dhe Malajzia pranuan të martën të promovojnë bashkëpunimin me cilësi të lartë lidhur me nismën "Një brez, një rrugë" dhe të nxitin zbatimin e projekteve kryesore të kësaj nisme, gjatë vizitës në Malajzi të këshilltarit të Shtetit dhe ministrit të Jashtëm kinez Wang Yi.

Në një takim me kreun e diplomacisë kineze, mbreti i Malajzisë Sulltan Abdullah Sulltan Ahmad Shah tha se Kina nuk është vetëm partnerja më e madhe tregtare e Malajzisë, por edhe një partnere e rëndësishme strategjike e saj.

Të dyja palët kanë arritur së bashku rezultate të jashtëzakonshme në luftën kundër pandemisë së COVID-19 dhe përparim të madh në projektet e parkut industrial kino-malajzian, duke i kanë dhënë një shtysë të fortë zhvillimit ekonomik të Malajzisë, theksoi ai.

Sipas mbretit malajzian, vendi i tij mirëpret më shumë investime kineze dhe është i gatshëm të ndërtojë së bashku me Kinën projektet kryesore të nismës "Një brez, një rrugë", duke vendosur një shembull të ndërlidhshmërisë.

Ndërsa Wang vuri në dukje nga ana e tij se Kina ka qenë partnerja më e madhe tregtare e Malajzisë për 13 vjet rresht dhe bashkëpunimi i gjithanshëm ndërmjet dy vendeve ka qenë i frytshëm, duke nxitur zhvillimin dhe përtëritjen e të dy vendeve dhe duke sjellë përfitime të mëdha për popujt e tyre.

Kina është e gatshme të punojë me Malajzinë për të forcuar ndërthurjen e strategjive të tyre të zhvillimit, për të ndërtuar "Një brez, një rrugë" me cilësi të lartë, për të zgjeruar dhe forcuar projektet kyçe, për të krijuar një zonë pilot për bashkëpunimin në drejtim të kapaciteteve prodhuese dhe një zonë pioniere për risitë dhe për ta ndihmuar Malajzinë të shfrytëzojë plotësisht burimet dhe vendndodhjen e saj të favorshme dhe të ngrejë nivelin e industrializimit, shtoi ministri i Jashtëm.

E propozuar nga Kina në vitin 2013, nisma "Një brez, një rrugë" përfshin Brezin Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit dhe Rrugën Detare të Mëndafshit të Shekullit të 21-të dhe synon të ndërtojë rrjete tregtare dhe infrastrukturore që lidhin Azinë me Evropën e Afrikën përgjatë dhe përtej Rrugës së lashtë të Mëndafshit. (Çang Çuo)