foto/VCG

foto/VCG

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Wang Wenbin hodhi poshtë në një konferencë për shtypin “fjalimin e lamtumirës” të konsullit të përgjithshëm amerikan në Hong-Kong Hanscom Smith, duke thënë si ky fjalim është kundër fakteve dhe nuk ka vlerë. Pala kineze shpreh pakënaqësi të fortë dhe kundërshtim për përmbajtjen e fjalimit mbi politikën e Kinës për qeverisjen e Hong-Kongut dhe shpifjen lidhur me situatën politike dhe ekonomike të Hong-Kongut.

Sipas raporteve, konsulli i përgjithshëm i ShBA-së në Hong-Kong, Hanscom Smith, tha në fjalimin e tij të largimit të hënën se Ligji i Sigurisë Kombëtare për Hong-Kongun “gërryen” liritë politike dhe shoqërore të Hong-Kongut dhe do të dëmtojë statusin e Hong-Kongut si një qendër globale shërbimesh. Sipas tij, ShBA-ja nuk e mbështet “pavarësinë e Hong-Kongut”, por shpreson që Kina të respektojë angazhimin e saj për t’i dhënë Hong-Kongut autonomi. Lidhur me këtë, qeveria e Hong-Kongut dha një përgjigje të ashpër.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Wang Wenbin tha se qysh nga zbatimi i Ligjit të Sigurisë Kombëtare për Hong-Kongun, siguria është mbrojtur, shoqëria hongkongase është kthyer në rrugën e duhur dhe janë zbatuar sundimi i ligjit dhe drejtësia. Të drejtat dhe liritë e ligjshme të banorëve hongkongas dhe të të huajve në Hong-Kong janë ruajtur në një mjedis më të sigurt. Parimet “Një vende, dy sisteme” dhe “Qeverisje e Hong-Kongut nga hongkongasit” po ecin në rrugën e duhur. Kjo është njohur dhe pranuar nga të gjithë sektorët e shoqërisë së Hong-Kongut dhe është mirëpritur nga bashkësia ndërkombëtare. Sipas sondazheve, 76.2 % e qytetarëve të Hong-Kongut besojnë se liritë e dhëna nga Ligji Themelor pas zbatimit të Ligjit të Sigurisë Kombëtare nuk janë prekur dhe 63 % e tyre besojnë se Ligji i Sigurisë Kombëtare e ka përmirësuar mjedisin e biznesit në Hong-Kong. Faktet “e forta si hekur” nuk mund të shtrembërohen dhe opinioni kryesor në Hong-Kong nuk mund të mohohet, tha zëdhënësi.

“Pala kineze ka ofruar gjithmonë ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme për institucionet e huaja konsullore në Hong-Kong për të kryer detyrat e tyre në përputhje me ligjin. Ndërkohë, institucionet konsullore dhe personeli i huaj në Hong-Kong duhet të respektojnë ligjet e Hong-Kongut, duke përfshirë Ligjin e Sigurisë Kombëtare për Hong-Kongun, dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore, ligjin ndërkombëtar dhe normat themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare. Çdo veprim dhe aktivitet që ndërhyn në punët e brendshme të Kinës dhe çështjet e Hong-Kongut, rrezikon sigurinë kombëtare të Kinës dhe minon begatinë dhe qëndrueshmërinë e Hong-Kongut, është i papranueshëm dhe nuk do të ketë sukses,” theksoi Wang Wenbin. (Fang Xiaoyu/Artan)