foto/CGTN

foto/CGTN

Parimi i “Një Kine” forcon stabilitetin në ngushticën e Tajvanit, tha të hënën këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi në një fjalim politik me pyetje dhe përgjigje mbi rajonalizimin e hapur në Sekretariatin e ASEAN-it, në kryeqytetin e Indonezisë Xhakartë.

Historia dhe praktika kanë vërtetuar në mënyrë të përsëritur se, kur njihet plotësisht dhe ndiqet tërësisht parimi i “Një Kine”, ngushtica e Tajvanit është e qetë dhe të dy brigjet gëzojnë zhvillim paqësor, u shpreh Wang.

“Megjithatë, kur parimi i ‘Një Kine’ sfidohet në mënyrë arbitrare apo edhe sabotohet, përgjatë ngushticës së Tajvanit ka re të errëta apo edhe stuhi të mëdha,” theksoi ai.

Wang tha në vijim se tensionet e tanishme ndërmjet dy brigjeve të ngushticës së Tajvanit janë të rrënjosura në faktin se autoritetet e Partisë Demokratike Progresive (DPP) të Tajvanit kanë braktisur Konsensusin e vitit 1992 që mishëron parimin e “Një Kine”, duke minuar themelin e rëndësishëm për zhvillimin paqësor të marrëdhënieve ndërmjet brigjeve të ngushticës dhe duke shkuar më tej në rrugën e gabuar të “kërkimit të pavarësisë me mbështetjen e huaj”.

Ai gjithashtu vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara vazhdimisht po shtrembërojnë dhe cenojnë parimin e “Një Kine”, duke u përpjekur ta përdorin "kartën e Tajvanit" për të prishur dhe penguar procesin e zhvillimit të Kinës.

Wang theksoi se janë të qarta faktet që të dy anët e ngushticës së Tajvanit i përkasin së njëjtës Kinë dhe Tajvani është pjesë territoriale e Kinës.

"Megjithëse ka pasur antagonizëm politik ndërmjet dy anëve të ngushticës së Tajvanit, sovraniteti dhe integriteti territorial i Kinës nuk janë ndërprerë kurrë," tha ai. "Kjo është statukuoja e vërtetë e ngushticës së Tajvanit, e cila nuk ka ndryshuar që nga lashtësia e nuk do të ndryshojë kurrë."

Duke theksuar se parimi i “Një Kine” është gjithashtu themeli mbi të cilin Kina vendos lidhje diplomatike me vendet e tjera dhe është pjesë e rendit ndërkombëtar të pas Luftës së Dytë Botërore, Wang shprehu shpresën dhe besimin se të gjitha vendet do ta njohin plotësisht rrezikun e madh të "pavarësisë së Tajvanit" e të shkëputjes dhe do të punojnë me Pekinin për të ndjekur parimin e “Një Kine”.

Një qëndrim më i prerë në respektimin e parimit të “Një Kine” dhe masat më të forta për të frenuar forcat separatiste çojnë në më shumë mundësi për paqe e qëndrueshmëri përgjatë dy brigjeve të ngushticës së Tajvanit dhe në më shumë garanci për paqen dhe begatinë rajonale, vuri në dukje kreu i diplomacisë kineze.

Sipas tij, Kina dhe ASEAN-i i kanë sjellë besim dhe gjallëri të çmuar mëkëmbjes globale.

Përtëritja ekonomike globale ka nevojë për një shtysë të re rritjeje, shtoi ai. Duke ndjekur prirjen historike të Revolucionit të 4-t Teknologjik, Kina dhe ASEAN-i kanë thelluar bashkëpunimin në ekonominë digjitale e ekonominë e gjelbër dhe kanë arritur përparim të shpejtë në bashkëpunimin në tregtinë elektronike, duke sjellë përfitime për të dy popujt dhe duke e udhëhequr Azinë Lindore për t'u bërë tregu me rritjen më të shpejtë në botë të ekonomisë digjitale.

Kina është e gatshme të punojë me ASEAN-in për të ndërtuar së bashku “Një brez, një rrugë” me cilësi të lartë dhe për të promovuar bashkëpunimin dypalësh të nivelit të lartë, vuri në duke ai.

Kur u pyet mbi përpjekjet e Shteteve të Bashkuara dhe të tjerëve për të forcuar dhe zgjeruar praninë dhe ndikimin e tyre në Azi-Paqësor, Wang tha se Kina dhe Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen në ndërveprime të shëndetshme. Sipas tij, një gjë e tillë do të ndihmojë jo vetëm për rritjen e pritshmërive pozitive lidhur me marrëdhëniet kino-amerikane, por edhe në përmbushjen e shpresave të përgjithshme të vendeve të rajonit.

Mbetet për t'u parë se si do të përgjigjet pala amerikane, tha kryediplomati kinez, duke shtuar se kjo gjithashtu do të provojë nëse Shtetet e Bashkuara mund të heqin dorë nga mendësia i tyre hegjemoniste, të kapërcejnë mendësinë e Luftës së Ftohtë, të braktisin logjikën e “lojës ku fituesi i merr të gjitha” dhe të luajnë një rol vërtet konstruktiv për paqen dhe lulëzimin e rajonit të Azi-Paqësorit. (Artan)