Këshilltari i Shtetit e ministri i Jashtëm kinez Wang Yi dhe sekretari i Shtetit i ShBA-së Antony Blinken patën të shtunën bisedime "thelbësore e konstruktive" për marrëdhëniet kino-amerikane dhe çështjet kryesore ndërkombëtare e rajonale me interes të përbashkët, sipas Ministrisë së Jashtme të Kinës.

Të dy kryediplotatët ishin në Bali të Indonezisë për të marrë pjesë në Mbledhjen e Ministrave të Jashtëm të G20-s.

[Foto: Xinhua]

[Foto: Xinhua]

Komunikimi "i plotë, i thellë, i sinqertë dhe i gjatë" ndihmoi në rritjen e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe pakësimin e keqkuptimeve dhe gjykimeve të gabuara ndërmjet të dy palëve dhe hapi rrugën për shkëmbimet e ardhshme të nivelit të lartë ndërmjet dy vendeve.

Tani marrëdhëniet Kinë-ShBA ndodhen ende përpara vështirësive të krijuara nga administrata e mëparshme amerikane dhe madje po hasin gjithnjë e më shumë sfida, tha Wang. Ai shtoi se arsyeja themelore për këtë ishte perceptimi i ShBA-së për Kinën dhe devijimi nga rruga e duhur i politikës së saj ndaj Kinës.

Ministri i Jashtëm kinez tha se çelësi për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe është zbatimi i konsensusit të arritur nga dy krerët e shteteve. Ai theksoi se Kina ka praktikuar respektin e ndërsjellë, bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella si tre parimet e zhvillimit të marrëdhënieve kino-amerikane.

Meqë ka premtuar se nuk do të kërkojë të ndryshojnë sistemin e Kinës, ShBA-ja duhet të respektojë rrugën e socializmit me karakteristika kineze të zgjedhur nga populli kinez, tha ministri i Jashtëm i Kinës.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Meqë ka premtuar që nuk do të kërkojë një Luftë të Ftohtë të re me Kinën, ShBA-ja duhet të braktisë mendësinë e Luftës së Ftohtë dhe të “lojës ku fituesi i merr të gjitha”, shtoi ai.

Meqenëse ka premtuar të mos mbështesë "pavarësinë e Tajvanit", ShBA-ja duhet të ndalojë shtrembërimin e politikës së një Kine, theksoi Wang.

Ministri i Jashtëm kinez vuri në dukje edhe se "muri mbrojtës" i marrëdhënieve ndërmjet Kinës e ShBA-së janë tre komunikatat e përbashkëta kino-amerikane.

Kina gjithashtu u paraqiti Shteteve të Bashkuara katër lista: listën e gabimeve që ShBA-ja nuk duhet të bëjë, listën e rasteve kryesore individuale me interes për Kinën, listën e projektligjeve lidhur me Kinën me interes të madh për Kinën dhe listën e tetë fushave të bashkëpunimit kino-amerikan.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken foli nga ana e tij mbi politikën amerikane ndaj Kinës, duke thënë se ShBA-ja nuk kërkon një Luftë të Ftohtë të re me Kinën, nuk synon të ndryshojë sistemin e Kinës, nuk sfidon statusin qeverisës të Partisë Komuniste të Kinës, nuk përpiqet ta frenojë Kinën dhe nuk mbështet "pavarësinë e Tajvanit".

Ministrat e jashtëm arritën konsensus edhe për të nxitur shtimin e rezultateve nga konsultimet e grupeve të përbashkëta të punës kino-amerikane mbi baza të barabarta e të ndërsjella. Ata ranë në një mendje për rifillimin e shkëmbimeve njerëzore e të konsultimeve dhe forcimin e bashkëpunimit për ndryshimet klimatike e shëndetin publik.

Të dy palët parashtruan gjithashtu vizionin e ndërveprimit të shëndetshëm ndërmjet Kinës dhe SHBA-së në rajonin e Azi-Paqësorit e shkëmbyen pikëpamje të thella për çështjen e Ukrainës dhe gjendjen në Gadishullin Korean. (Artan)