Të enjten u mbajt njëkohësisht në internet dhe me prani fizike ceremonia e nënshkrimit të bashkëpunimit strategjik ndërmjet Shoqatës Ekonomike dhe Tregtare të Evropës Qendrore dhe Lindore dhe Grupit “OSELL” . Kjo veprimtari, me temë "Së bashku në një epokë të re të tregtisë digjitale midis Kinës dhe Evropës", i kushtohet ndërtimit të një platforme për hyrjen e shpejtë në treg të kompanive kineze dhe atyre të Evropës Qendrore e Lindore.

Siç njoftohet, të dyja palët do të përdorin epërsitë e tyre të diferencuara në fushat përkatëse për të ndërtuar së bashku magazina jashtë vendit, baza të transmetimit të drejtpërdrejtë dhe qendra shërbimi të lokalizuara në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Ato gjithashtu do të zhvillojnë aktivitete të dyanshme për ndërlidhjen e biznesit dhe shkëmbimin e projekteve përmes integrimit të metodave në internet dhe me prani fizike, të cilat jo vetëm do të ndihmojnë ndërmarrjet kineze të eksportit të zgjerojnë kanalet e tregtisë në vendet e Evropës Qendrore e Lindore, për gjithashtu do të ofrojnë një trampolinë për markat e EQL-së për të hyrë në tregun kinez.

Në ceremoninë e nënshkrimit, nënkryetarja ekzekutive e Këshillit për Promovimin e Investimeve Ndërkombëtare të Kinës Yao Wenping shprehu besimin e plotë në bashkëpunimin e dyanshëm të nxitjes së investimeve dypalëshe në epokën e re të tregtisë digjitale mes Kinës-Europës Qendrore e Lindore. " Viti 2022 është 10-vjetori i krijimit të mekanizmit të bashkëpunimit Kinë-EQL. Si Kina, ashtu edhe vendet e EQL-së janë në një fazë kyçe të zhvillimit ekonomik. Vazhdimi i thellimit të bashkëpunimit dypalësh ekonomik e tregtar dhe shfrytëzimi i epërsive plotësuese nuk do të sjellin përfitime vetëm për Kinën dhe vendet e EQL-së. Arritja e përfitimeve të ndërsjella dhe e zhvillimit të përbashkët ka gjithashtu një rëndësi të madhe për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian dhe promovimin e zhvillimit të marrëdhënieve Kinë-BE në një nivel më të thellë," u shpreh Yao Wenping.

Qysh nga fillimi i qarkullimit të trenit të mallrave Kinë-Evropë në mars të vitit 2011 nga Chongqing-u, numri i përgjithshëm i udhëtimeve të trenave të mallrave Kinë-Evropë e ka kaluar 50 mijë. Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, Chongqing-u ka marrë pjesë aktive në ndërtimin e mekanizmave të bashkëpunimit në nivel vendor ndërmjet Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore e Lindore. Grupi “OSELL”, si ndërmarrje përfaqësuese me modelin “Internet+tregti e jashtme”, do të thellojë më tej bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella ndërmjet Chongqing-ut dhe vendeve të EQL-së në fushat e tregtisë digjitale, logjistikës së biznesit, prodhimit inteligjent, turizmit kulturor, arsimit shkencor e teknologjik dhe fusha të tjera. (Fang Xiaoyu/Artan)