Pas katër vjetësh, presidenti kinez Xi Jinping bëri përsëri vizitë në provincën Sichuan të Kinës Jugperëndimore. Në mëngjesin e 8 qershorit, Xi shkoi në qytetin Meishan për inspektim. Ky qytet i lashtë mijëravjeçar, që shtrihet i qetë në brigjet e lumit Minjiang, jo vetëm që ka lindur një qytetërim të lashtë bujqësor, por është gjithashtu një vendlindje e njohur e dijetarëve të lashtë kinezë.

Fill pas fazës stinore “Kokrrat në kalli”, Xi Jinping-u shkoi në fshatin Yongfeng, në jugperëndim të qytezës Taihe të qytetit Meishan. Ky fshat ka 6320 mu tokë të punueshme, 2 133 familje e 5 176 banorë, të ardhurat neto për frymë të të cilëve në vitin 2021 ishin 28 000 juanë. Sipas autoriteteve vendore, ky nivel të ardhurash zë vendin e katërt në provincën Sichuan.

Në këtë fshat Xi Jinping-u u përqendrua gjithashtu në të kuptuarit e promovimit lokal të rigjallërimit rural dhe në parandalimin e kontrollin e epidemisë.

Duke qëndruar në Tempullin Përkujtimor të Paraardhësve Su (ose Tempulli i Tre Su-ve), një mijë vjet kohë duket se janë kthyer në një moment, i cili hap një dritare për të dialoguar me babanë dhe djemtë shkrimtarë të dinastisë Song Veriore: Su Xun, Su Shi dhe Su Zhe. Në tempull, Xi Jinping-u u fokusua në mbrojtjen e trashëgimisë historike dhe kulturore.

Pasdite ai vizitoi Sanjiangkou-n, ku lumenjtë Jinsha dhe Minjiang bashkohen në lumin Jance, Universitetin e Yibin-it dhe kompaninë optoelektronike XGIMI.

Xi Jinping-u u njoh me përpjekjet për restaurimin dhe mbrojtjen ekologjike përgjatë lumit Jance, punësimin e të diplomuarve të universiteteve dhe inovacionin e pavarur të ndërmarrjeve. Ai theksoi promovimin e inovacionit dhe zhvillimin e më shumë kompanive të teknologjisë së lartë në sektorë të ndryshëm.

Gjatë vizitës në kompaninë optoelektronike XGIMI, Xi Jinping u njoh me krijimin e pavarur të risive, hapjen e vendeve të reja të punës dhe përpjekjet për të mbështetur sektorin privat.

Kreu i shtetit kinez theksoi edhe formimin e grupeve të kompanive novatore, duke i inkurajuar punonjësit e XGIMI-së që të përballojnë sfidat e kthimit të Kinës në një vend të fuqishëm prodhues.

Xi i ka kushtuar për një kohë të gjatë një vëmendje të madhe sektorit privat. Kur ishte kreu i Partisë fillimisht në qytetin Fuzhou në vitet ‘90 të shekullit të kaluar, dhe më vonë në provincën Zhejiang, ai bëri përpjekje për të ndihmuar në zgjidhjen e vështirësive të kompanive private, madje duke e këshilluar një sipërmarrës që t'i shkonte në zyrë ta takonte nëse kishte ndonjë problem të rëndësishëm.

Në nëntor të vitit 2018, kur kryesonte një simpozium mbi ndërmarrjet private, Xi tha se "ndërmarrjet private dhe sipërmarrësit privatë i përkasin familjes sonë".

Ai theksoi se ekonomia private është një element thelbësor i sistemit ekonomik të Kinës dhe u zotua për inkurajimin, mbështetjen dhe drejtimin e zhvillimit të sektorit jopublik.

"Të gjitha kompanitë private dhe sipërmarrësit privatë duhet të ndihen plotësisht të qetë dhe t'i përkushtohen zhvillimit," tha Xi.