Investimet e gjelbra dhe qëndrueshmëria do të jenë nxitësit kryesorë të rritjes për Kinën në të ardhmen, deklaroi zëvendëspresidenti dhe shefi i Financës në Bankën e Re për Zhvillim (NDB), Leslie Maasdorp. “Shumica e botës vuajti gjatë dy viteve të fundit si pasojë e bllokimeve të njëpasnjëshme nga pandemia e Covid-19. Kina ka ecur jashtëzakonisht mirë në vitet 2020 dhe 2021 për t'u rikuperuar nga kjo krizë”, -tha Maasdorp gjatë Simpoziumit të 51-të të St. Gallen në Zvicër, një nismë studentore që synon të nxisë dialogun ndërmjet brezave.

foto nga VCG

foto nga VCG

Sipas tij, viti 2022 ka të ngjarë të jetë shumë sfidues. Maasdorp tha se ndërsa Kina po kalon nëpër rregullime dhe ribalancime të mëdha, ai mendon se ka nxitës të fortë ekonomikë që do të çojnë përpara ekonominë e Kinës dhe angazhimi për investime të gjelbra dhe qëndrueshmëri është një nga fushat kyçe. “Ka industri të reja duke u zhvilluar në Kinë që do të nxisin fazën tjetër të historisë së saj të rritjes”, -theksoi zëvendëspresidenti i Bankës së Re për Zhvillim.

Sipas strategjisë së përgjithshme të “NDB”-së, zhvillimi i qëndrueshëm i infrastrukturës është në thelb të strategjisë së saj operative, e cila është vlerësuar me AA+ nga agjencitë “S&P” dhe “Fitch”. Maasdorp vuri në dukje gjithashtu kërkesën e fortë për projekte infrastrukturore në mbarë botën, veçanërisht në tregjet në zhvillim.

foto nga VCG

foto nga VCG

Banka “NDB”, me seli në Shangai, është një huadhënës i krijuar në vitin 2015 nga grupi BRICS i vendeve në zhvillim (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut). Ajo synon të bëhet një bankë globale zhvillimi për të mobilizuar burimet për infrastrukturën dhe zhvillimin e qëndrueshëm. “Banka tani po bëhet me shpejtësi një institucion global i ankoruar në tregjet në zhvillim”, -tha përfaqësuesi i saj, duke shtuar se këtë vit dhe vitin e ardhshëm do të vazhdojë të zgjerohet, sepse ka një nevojë të madhe për financim të qëndrueshëm të infrastrukturës.

“Prej pandemisë së Covid, shumë qeveri janë të kufizuara nga pikëpamja fiskale. Ato nuk kanë burime për të ndërtuar infrastrukturë të re, energji të re, porte të reja, infrastrukturë të re hekurudhore e kështu me radhë, dhe pikërisht në këtë pikë banka luan një rol të rëndësishëm”, -tha ai.

Sipas Maasdorp, në Azinë Qendrore dhe Jugore shihet një interes i madh për financime të reja në frontin e qëndrueshëm, sepse shumë nga këto vende kanë nevojë për një ekonomi të gjelbër dhe ky është një nga specialitetet e bankës.

foto nga VCG

foto nga VCG

Që nga themelimi i saj, Banka e Re për Zhvillim (NDB) ka miratuar më shumë se 80 projekte për anëtarët e saj, me një portofol total prej 33 miliardë dollarë amerikanë. Projektet mbulojnë sektorë duke përfshirë transportin, ujin dhe kanalizimet, energjinë e pastër, infrastrukturën digjitale, infrastrukturën sociale dhe zhvillimin urban.

“Banka ka një bazë kapitali prej 50 miliardë dollarësh. Dhjetë miliardë dollarë nga këto janë para të kapitalit që kemi marrë nga vendet dhe plani ynë tani është të zgjerohemi vitet e ardhshme për të arritur një bazë kapitali prej 100 miliardë dollarësh”, -tha Maasdorp, duke theksuar se banka synon të mbledhë fonde të reja për klimën si pjesë e angazhimit të saj për të luftuar ndryshimet klimaterike.