foto/VCG

foto/VCG

Si vende të rajonit të Azi-Paqësorit, Kina dhe ShBA-ja mund të kenë “një rreth të përbashkët miqsh”, u shpreh Zhao Lijian, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, gjatë një konference shtypi të premten.

Ai i tha këto duke komentur mbi samitin e posaçëm ndërmjet ShBA-së dhe Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN), i cili u mbajt në Uashington të enjten dhe të premten, me rastin e 45-vjetorit të marrëdhënieve të partneritetit të dialogut dypalësh.

Gjatë samitit, ShBA-ja njoftoi një paketë zhvillimi për ASEAN-in me vlerë mbi 150 milionë dollarë, duke përshirë fushat e infrastrukturës, sigurisë dhe luftës kundër pandemisë.

Duke folur për zhvillimin e marrëdhënieve me vendet e rajonit të Azi-Paqësorit, Zhao tha se kyçi është të dëgjohen aspiratat e tyre për mbrojtjen e paqes, thellimin e bashkëpunimit dhe synimin e zhvillimit të përbashkët.

Kina dhe ASEAN-i nuk përfshihen në “lojëra ku fituesi i merr të gjitha” dhe nuk nxisin konfrontim ndërmjet blloqeve, tha Zhao Lijian, duke shtuar se Kina mirëpret çdo nismë bashkëpunimi që mund të nxitë zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë dhe përparimin e përbashkët të rajonit.

Zëdhënësi i diplomacisë kineze vuri më tej në dukje se në katër muajt e parë të sivjetshëm, tregtia dypalëshe ndërmjet Kinës dhe ASEAN-it arriti në afro 290 miliardë dollarë, 9.4 % më shumë se vitin e kaluar, gjë që tregon se ASEAN-i mbetet partneri më i madh tregtar i Kinës.

Kina do të vazhdojë të zhvillojë partneritetin e saj të gjithanshëm strategjik me ASEAN-in, theksoi Zhao. (Fang Xiaoyu/Artan)