foto/Xinhua

foto/Xinhua

Kina shprehu të premten "mosmiratim të fortë e kundërshtim të vendosur" ndaj një deklarate të përbashkët për shtypin pas konsultimeve të fundit ndërmjet Shteteve të Bashkuara e Bashkimit Evropian dhe kritikoi "standardet e dyfishta" të tyre mbi sovranitetin dhe integritetin territorial.

"Ajo që zbulon njoftimi për shtypin është se ka vërtet disa vende dhe organizata në botë që po minojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve të tjera pikërisht në emër të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial.Veprime të tilla me standard të dyfishtë nuk janë gjë tjetër veçse shembuj të qartë të politikës së blloqeve dhe ngacmimit ideologjik," tha në një deklaratë një zëdhënës i Misionit Kinez në BE.

Zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit Wendy Sherman takoi sekretarin e përgjithshëm të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm Stefano Sannino në Bruksel të enjten dhe të premten. Ata shprehën shqetësime për qëndrimin e Kinës mbi situatën në Ukrainë dhe komentuan një sërë çështjesh të lidhura me Kinën, si Tajvani, Xinjiang-u, të drejtat e njeriut dhe "shtrëngimi ekonomik", sipas njoftimit për shtypin.

“Mbajtja e konsultimeve ndërmjet ShBA-së dhe BE-së është punë e tyre”, tha zëdhënësi. "Megjithatë, ne kundërshtojmë me vendosmëri që ata ta bëjnë Kinën një problem dhe të përdorin konsultimet si një justifikim për të kërcënuar dhe ushtruar trysni mbi Kinën. Deklarata e përbashkët për shtypin ndërhyn rëndë në punët e brendshme të Kinës dhe bën shpifje e sulme të pabaza ndaj Kinës."(Artan)