Foto:VCG

Foto:VCG

Shangai nisi të premten një sërë masash të reja për të ndërprerë zinxhirët e transmetimit të COVID-19 sa më shpejt të jetë e mundur, thanë autoritetet vendore.

Do të merren masa kontrolli në nivel lagjeje për të minimizuar lëvizjen dhe grumbullimin e njerëzve, bëri të ditur Komiteti i Partisë Komuniste të Kinës i Bashkisë së Shangait dhe pushteti vendor.

Shangai gjithashtu do të miratojë politikat e testimit dhe kontrollit të COVID-19 të përshtatura për lagje të ndryshme.

Zyrtarët e kanë ndarë qytetin në tre zona – të menaxhimit të mbyllur, të kontrollit kufizues e të parandalimit – si pjesë e përpjekjeve për të përballuar shpërthimin e fundit të virusit.

Foto:VCG

Foto:VCG

Qendra financiare e Kinës do të kryejë gjithashtu hetime epidemiologjike, ndërhyrje të mjekësisë tradicionale kineze, si edhe pastrim e dezinfektim.

Në Shangai u regjistruan 1 931 raste të konfirmuara të COVID-19 me burim të brendshëm dhe 15 698 raste asimptomatike të enjten, thanë autoritetet vendore të premten në mëngjes, duke njoftuar gjithashtu se të enjten u regjistruan 11 vdekje të reja nga COVID-19.

Shangai, një nga qytetet më të zhvilluara në Kinë, ka kryer raunde të shumta testimi masiv të acidit nukleik ndër 25 milionë banorët e tij, për të frenuar valën më të madhe të COVID-19 në vend gjatë dy vjetëve të fundit.

Zyrtarët thanë se situata ishte përmirësuar gjatë disa ditëve të fundit, me rënien e vazhdueshme të rasteve pozitive.

Bizneset kanë filluar të rihapen, megjithëse duhet të operojnë në "qarqe të mbyllura", të cilat përfshijnë banimin në vendin e punës, testimin e përditshëm dhe dezinfektimin rigoroz.

Foto:VCG

Foto:VCG

Javën e kaluar, autoritetetet qendrore publikuan një listë me 666 firma në Shangai që do të kenë përparësi në rihapje ose në vijimin e funksionimit dhe Bashkia e Shangait tha të premten se 403 prej tyre po e bëjnë një gjë të tillë që nga 20 prilli, duke përfshirë prodhuesin amerikan të automjeteve "Tesla" dhe atë me bazë në Shangai "SAIC Motor".