Foto:VCG

Foto:VCG

Kina po rrit mbështetjen financiare me masa të reja për bizneset dhe individët e prekur nga shpërthimet e fundit të COVID-19 në vend, sipas një deklarate të përbashkët të bërë të hënën nga banka qendrore dhe organi rregullator i këmbimit valutor.

Të 23 masat janë hartuar për të përmirësuar shërbimet financiare në tre aspekte: mbështetjen e subjekteve të prekura nga epidemia, sigurimin e funksionimit të lirshëm të ekonomisë dhe nxitjen e eksporteve, thuhet në deklaratën në internet nga Banka Popullore e Kinës dhe Administrata Shtetërore e Këmbimit Valutor e Kinës.

Banka qendrore do të udhëzojë institucionet financiare që të zgjerojnë kreditimin dhe t'i kalojnë fitimet në mënyrë të arsyeshme në ekonominë reale, vihet në dukje në deklaratë, duke shtuar që institucionet financiare duhet të blejnë në masën e duhur bonot e pushtetit vendor për të mbështetur investimet infrastrukturore.

Rregullatorët financiarë u kërkuan gjithashtu huadhënësve të përmbushin nevojat e financimit të bizneseve të logjistikës dhe drejtuesve të kamionëve, që kanë rol thelbësor gjatë shpërthimeve të reja të COVID-19.

Sipas deklaratës, politikat e kreditimit të banesave duhet të jenë të ndryshme në qytete të ndryshme e duhet të plotësohen nevojat e arsyeshme të financimit të ndërtuesve, për të stabilizuar tregun e pasurive të patundshme.

Deklarata thekson gjithashtu se kompanitë e vogla do të përjashtohen nga pagesa e tarifave për tregtimin e derivativave të tyre në valutë të huaj.

Banka Popullore e Kinës e uli të premten, për herë të parë për këtë vit, normën e rezervës së detyruar, që është sasia e parave fizike që duhet të kenë bankat. Një veprim i tillë synon për të mbështetur ekonominë që gjendet nën presionin e rënies.