Presidenti kinez Xi Jinping vuri në dukje të premten që Kina dhe Bashkimi Europian (BE) duhet t’i sjellin më shumë stabilitet botës e cila po përballon pandeminë e COVID-19, rimëkëmbjen e ngadalshme ekonomike dhe krizën e Ukrainës.

Xi Jinping-u i tha këto gjatë Takimit të 23-të të Udhëheqësve Kinë-BE me presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen nëpërmjet lidhjes me video.

Si dy forca, tregje e qytetërime të mëdha, Kina e BE-ja duhet të forcojnë marrëdhëniet dypalëshe dhe shkëmbimet për çështjet e paqes dhe zhvillimit global, si edhe duhet të luajnë një rol konstruktiv në shtimin e faktorëve stabilizues në një botë të trazuar, tha Xi.

Duke e vënë theksin te qëndrueshmëria dhe vazhdimësia e politikës së BE-së ndaj Kinës, ai i kërkoi BE-së të formojë mendimin e vet për Kinën, të ndjekë një politikë të pavarur ndaj Kinës dhe të punojë me Kinën për rritjen e qëndrueshme të marrëdhënieve dypalëshe. Pekini dhe Brukseli duhet të udhëheqin në ruajtjen e sistemit ndërkombëtar me Kombet e Bashkuara në thelb, të rendit ndërkombëtar të mbështetur në të drejtën ndërkombëtare dhe normat bazë që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare bazuar në Kartën e OKB-së, tha Xi. Të dyja palët duhet së kundërshtojnë së bashku ringjalljen e mendësisë së blloqeve rivale dhe përpjekjet për të filluar një Luftë të re të Ftohtë, shtoi ai.

Kreu i shtetit i Kinës u bëri thirrje të dy palëve që të promovojnë zhvillimin e përbashkët dhe globalizimin ekonomik. Kina do të thellojë në mënyrë të vendosur reformën e do të zgjerojë hapjen dhe mirëpret investimet e kompanive evropiane, vuri në dukje Xi. Ai i bëri thirrje gjithashtu BE-së të sigurojë një mjedis biznesi të drejtë, transparent dhe jodiskriminues për kompanitë kineze.

Michel dhe Von Der Leyen thanë nga ana e tyre që Kina është një forcë e rëndësishme në botë dhe BE-ja u kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve të saj me Kinën. Sipas tyre, BE-ja dhe Kina kanë një marrëdhënie afatgjatë me përfitime të ndërsjella dhe janë të përkushtuara ndaj mbrojtjes së paqes dhe multilateralizmit. Ata ripohuan angazhimin e BE-së ndaj parimit të “Një Kine” dhe vunë në dukje se Brukseli është i gatshëm të thellojë bashkëpunimin me Pekinin në fusha të tilla si ekonomia dhe tregtia, investimet, energjia dhe zhvillimi i gjelbër, duke trajtuar së bashku sfidat globale si COVID-19, ndryshimet klimatike dhe mbrojtja e biodiversitetit.

Xi dhe udhëheqësit e BE-së shkëmbyen mendime edhe për situatën në Ukrainë. Kreu i shtetit kinez përshkroi katër pika kyçe për zgjidhjen e krizës në rrethanat e tanishme. Ai theksoi që duhet të bëhen përpjekje për të nxitur bisedimet e paqes, për të parandaluar një krizë humanitare në shkallë më të gjerë, për të ndërtuar paqe të qëndrueshme në Evropë e në kontinentin euroaziatik dhe për të parandaluar zgjerimin e konfliktit rajonal. Kina mbështet luajtjen e një roli parësor nga Evropa, veçanërisht BE-ja, dhe zhvillimin e dialogut nga Evropa, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja për të përballuar tensionet që janë krijuar gjatë viteve dhe për të gjetur zgjidhje, që të ndërtohet një kuadër i ekulibruar, i efektshëm dhe i qëndrueshëm i sigurisë në Evropë, tha ai. Pekini dhe Brukseli duhet të angazhohen për të mbajtur situatën nën kontroll, për të parandaluar përhapjen e krizës dhe, ç’është më e rëndësishmja, për t’i mbajtur të qëndrueshme sistemin, rregullat dhe themelet e ekonomisë botërore, në mënyrë që të forcohet besimi i publikut, theksoi presidenti Xi Jinping.