Foto: VCG

Foto: VCG

Pas rënies së investimeve të kompanive kineze në Evropë për shkak të pandemisë në vitin 2020, numri i transaksioneve u rrit përsëri dhe arriti në 155 në 2021-shin, sipas një studimi të publikuar nga firma konsulente “Ernst & Young” (EY) Gjermani të martën.

Vëllimet totale të transaksioneve madje u rritën tetëfish në 12.4 miliardë dollarë amerikanë, sipas studimit, citon “Xinhua”. Investimi më i madh i vetëm nga një kompani kineze në Evropë ishte blerja e divizionit të pajisjeve shtëpiake të “Philips” me seli në Amsterdam, që iu shit firmës së investimeve me bazë në Hong Kong, “Hillhouse Capital”, për 4.4 miliardë dollarë amerikanë.

Transaksioni i dytë më i madh ishte blerja nga “Tencent” i zhvilluesit britanik të videolojërave “Sumo Digital”, e ndjekur nga marrja e ndërmarrjes daneze të kontejnerëve “Maersk Container Industry” nga “China International Marine Containers”, secili për 1.1 miliardë dollarë amerikanë, sipas studimit.

Në vitin 2021, Britania zëvendësoi Gjermaninë si tregu më i ngarkuar për investimet kineze me 36 blerje dhe pjesëmarrje kompanish. Gjermania regjistroi 35 transaksione, e ndjekur nga Holanda me 13 transaksione.

Sipas studimit, kompanitë industriale tradicionale përbënin ende shumicën e marrëveshjeve, pasi 30 nga 155 transaksionet në Evropë u kryen në sektorin industrial. Megjithatë, numri ishte pak më i ulët se në vitin 2020.