Të martën, Grupi i Sigurisë së Qeverisë dhe Ndërmarrjeve 360 i zbuloi plotësisht botës së jashtme për herë të parë karakteristikat teknike të platformës sulmuese “Quantum”, një armë kibernetike përfaqësuese e përdorur nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë e ShBA-së

(NSA) kundër objektivave në Kinë, por njëkohësisht edhe çdo përdorues interneti në botë mund të jetë objektiv i saj.

Kjo është hera e dytë në muajin e fundit që Grupi 360 ka zbuluar prova përkatëse, duke vërtetuar se NSA-ja ka vazhduar veprimet kibernetike në shkallë të gjerë në mbarë botën, veçanërisht sulmet kibernetike kundër Kinës. Në fillim të marsit, Grupi 360 paraqiti një sërë provash për të vërtetuar se Agjencia e Sigurisë Kombëtare e ShBA-së i konsideron fushat kyçe, si sektori i telekomunikacionit, si një objektiv kryesor sulmi. Kina është një nga objektivat kryesore të NSA-së dhe numri i njësive të infektuara aty mund të arrijë në miliona.

Sipas raportit të publikuar, sulmi kuantik është një teknologji e përparuar e sulmit të rrëmbimit të trafikut në rrjet, i krijuar posaçërisht nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë për internetin në nivel kombëtar. Kjo teknologji mund të kryejë sulme ndaj përdoruesve në mbarë botën të uebsajteve si “Facebook”, “Twitter”, “YouTube” e “Amazon” dhe disa platformave sociale të Kinës.

Të dhënat e vjedhura nga NSA-ja në mbarë botën përfshijnë skedarë të konfigurimit të rrjetit, numra dhe fjalëkalime të llogarive, dokumente zyre dhe private, baza të dhënash, informacionin e miqve në internet, informacionin e komunikimit në rrjet, e-mailet dhe të dhënat e kamerës në kohë reale etj. Ky lloj sulmi është pa dallim: përveç Kinës, edhe disa vende që bashkëpunojnë me ShBA-në përfshihen në objektivin e tij.

Gazeta gjermane "Der Spiegel" ka raportuar se Agjencia e Sigurisë Kombëtare kishte përgjuar objektet e zyrave të Bashkimit Europian në ShBA dhe Bruksel, dhe ka përdoruar bashkëpunimin e saj me shërbimet informative daneze për të mbikëqyrur liderë dhe zyrtarë të lartë të vendeve aleate evropiane, duke përfshirë ish-kancelaren gjermane Angela Merkel. NSA-ja jo vetëm përgjon mesazhet e shkruara dhe telefonatat në celularë, por gjithashtu merr përmbajtje kërkimi dhe informacione për bisedat në internet. (Fang Xiaoyu/Artan)