foto/VCG

foto/VCG

Ambasada kineze në Britani i kërkoi të hënën Britanisë së Madhe të mos keqinterpretojë ose shtrembërojë pozicionin e Kinës për çështjen e Ukrainës, duke theksuar se qëndrimi parimor i Pekinit për këtë çështje ka qenë objektiv, i drejtë, transparent dhe i qëndrueshëm.

Sipas medieve britanike, kryeministri Boris Johnson ka thënë se Kina duhet të ndryshojë qëndrimin e saj të "mosmbajtjes anë" në lidhje me Ukrainën, duke paralajmëruar se "mbështetja e Rusisë ishte si të zgjidhje anën e gabuar të historisë në Luftën e Dytë Botërore, një betejë midis së mirës dhe së keqes."

Një zëdhënës i ambasadës kineze u përgjigj se Pekini nuk dëshiron ta shohë krizën në Ukrainë dhe se Kina qëndron gjithmonë në anën e drejtësisë e të paqes, dhe në anën e duhur të historisë.

“Pozicioni i Kinës ka qenë gjithmonë se duhet respektuar sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve, duhet të respektohen parimet dhe qëllimet e Kartës së OKB-së, duhet të merren parasysh seriozisht shqetësimet e ligjshme të sigurisë të të gjitha vendeve dhe mosmarrëveshjet ndërkombëtare duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore,” tha ai.

Për të zgjidhur krizën në Ukrainë, përparësi e ngutshme tani është që të gjithë të mbështesin palët e përfshira të zhvillojnë dialog dhe negociata që do të sjellin fryte dhe do të çojnë në paqe, theksoi zëdhënësi.

“Është e rëndësishme të ndërpriten armiqësitë sa më shpejt të jetë e mundur, të parandalohet përkeqësimi i situatës dhe në veçanti, të shmangen më shumë viktima civile,” tha ai.

Zëdhënësi bëri thirrje gjithashtu për të mos pranuar mendësinë e Luftës së Ftohtë, për të mos u përfshirë në përballje blloqesh dhe për të ndërtuar një arkitekturë sigurie të vërtetë të ekuilibruar, të efektshme dhe të qëndrueshme për rajonin, në mënyrë që të arrihet qëndrueshmëria afatgjatë në kontinentin evropian.

Pekini ka punuar me të gjitha palët për të nxitur bisedimet e paqes, vuri në dukje zëdhënësi i ambasadës kineze në Londër, duke shtuar se Kina ka paraqitur një nismë prej gjashtë pikash për situatën humanitare në Ukrainë dhe ka ofruar disa kontingjente ndihmash humanitare për këtë vend.

ShBA-ja dhe NATO-ja gjithashtu duhet të kenë dialog me Rusinë për të trajtuar thelbin e krizës në Ukrainë dhe për të zbutur shqetësimet e sigurisë si të Moskës, ashtu edhe të Kievit, theksoi zëdhënësi.

Duke vënë në dukje se Kina mbështet të gjitha përpjekjet për një zgjidhje paqësore të krizës, zëdhënësi shprehu gjithashtu kundërshtimin e fortë ndaj nxitjes së konflikteve dhe krijimit të përballjes në blloqe.

“Ne kurrë nuk do të pranojmë asnjë shtrëngim apo trysni të jashtme dhe do të kundërshtojmë çdo akuzë të pabazë kundër Kinës,” shtoi ai. (Artan)