foto/CFP

foto/CFP

Kina do të zgjerojë mbikëqyrjen e industrisë së të ashtuquajturave rrjete shumëkanalëshe, duke rregulluar prodhimin e përmbajtjes dhe shërbimet e promovimit që u ofrojnë ndikuesve të tyre të kontraktuar, njoftoi të enjten rregullatori i këtij sektori, Administrata e Hapësirës Kibernetike e Kinës (CAC).

Ky veprim është pjesë e fushatës së "hapësirës kibernetike të pastër", një plan veprimi vjetor hetimor dhe operacional për veprimtaritë e hapësirës kibernetike të vendit.

Sivjet fushata përfshin 10 misione që fokusohen në goditjen e thashethemeve në internet, korrigjimin e agjencive të rrjeteve shumëkanalëshe që përhapin dezinformacion, rregullimin e videove të shkurtra dhe prodhimeve të transmetimit të drejtpërdrejtë, krijimin e një mjedisi të hapësirës kibernetike për të miturit gjatë pushimeve dimërore dhe verore, dhe rregullimin e mëtejshëm të urdhrave të komunikimit dhe shfrytëzimit të algoritmeve për këtë qëllim, bën të ditur zëvendësdrejtori i CAC-it Sheng Ronghua.

Vënia në shënjestër e agjencive të rrjeteve shumëkanalëshe prej CAC-it pasqyron shqetësimin në rritje për firmat që qëndrojnë pas shumicës së përmbajtjeve virale që shihen në mediat sociale kineze me zgjerimin e kësaj industrie.

Sipas raportit të fundit mbi zhvillimin e industrisë së rrjeteve shumëkanalëshe të Kinës, vitin e kaluar kishte mbi 34 000 agjenci të tilla, dhe ky numër vlerësohet që sivjet do t’i kalojë 40 000, sipas firmës së konsulencës kërkimore “iiMedia Research”.

Rreth 40 për qind e llogarive kryesore, ato me mbi 10 milionë ndjekës në platformat kryesore të mediave sociale, menaxhohen nga agjencitë e rrjeteve shumëkanalëshe, tha zyrtari i CAC-it Zhang Yongjun në konferencën për shtypin të së enjtes.

Ai vuri në dukje se masat e reja do të synojnë këto agjenci, do të përfshijnë dënime më të ashpra dhe do t'i ndalojnë ato të punësojnë ndikues fëmijë e të postojnë përmbajtje të ngjashme në masë. Gjithashtu, për më shumë transparencë informacioni, ndikuesve mund t'u kërkohet të shfaqin agjencitë e tyre të miratuara në faqet e llogarisë së tyre dhe do të krijohet një kanal raportimi për përdoruesit e mediave sociale, për të "mbikëqyrur" këto kompani dhe talente.

Rregulloret për agjencitë e rrjeteve shumëkanalëshe nuk synojnë veprimtaritë e tyre të ligjshme të biznesit, por i nxitin ato në mënyrën e duhur, theksoi Zhang.

"Ne shpresojmë që ato të funksionojnë në mënyrë të ligjshme dhe të standardizuar," tha ai, duke shtuar se CAC së shpejti do të nxjerrë rregulla të detajuara për drejtimin e prodhimit të përmbajtjes pasi të bëhen më shumë kërkime. (Artan)