foto/VCG

foto/VCG

Makroekonomia, pasuritë e paluajtshme, aksionet e koncepteve kineze, ekonomia e platformës ... një sërë çështjesh për të cilat tregu shqetësohet më shumë, morën përgjigje në mbledhjen e posaçme të Komitetit të Zhvillimit dhe Stabilitetit Financiar të Këshillit të Shtetit të Kinës, të mbajtur të martën. Shumë analistë kanë shprehur mendimin se kjo mbledhje ishte e saktë dhe në kohë për të dërguar një sinjal pozitiv që qeveria kineze po stabilizon pritshmëritë, investimet e huaja dhe zhvillimin, duke forcuar besimin e investitorëve brenda dhe jashtë vendit.

Në një moment kritik, kjo mbledhje e Komitetit të Zhvillimit dhe Stabilitetit Financiar u përball drejtpërdrejt me çështjet kyçe që kanë shqetësuar tregun. Gjatë saj u vu theksi te këmbëngulja te zhvillimi si përparësi kryesore dhe te vendosja e ndërtimit të ekonomisë në qendër. Po ashtu, u theksua edhe se duhet ngulur këmbë për thellimin e reformës e zgjerimin e hapjes dhe se politika monetare duhet të marrë iniciativën për të dhënë përgjigje... Këto sinjale nga aspekti i politikave stabilizojnë pritshmëritë e tregut dhe zbutin në mënyrë efektive shqetësimet e tij.

Në fakt, me ecurinë e vet në vitet e fundit ekonomia kineze ka dëshmuar aftësinë e saj të fortë kundër rreziqeve dhe një gjallëri të madhe. Në vitin 2020, Kina ishte e vetmja ekonomi e madhe në botë që pati rritje në kushtet e epidemisë. Rritja e PBB-së së Kinës prej 8.1% vitin e kaluar është gjithashtu mbresëlënëse.

Aktualisht, rimëkëmbja ekonomike e Kinës po vijon në mënyrë të qëndrueshme. Të dhënat e fundit të publikuara tregojnë se rimëkëmbja e ekonomisë kineze në dy muajt e parë të këtij viti ishte më e mirë sesa pritej, duke vendosur themelet për arritjen e objektivave vjetorë të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror. Agjencia “Bloomberg” komentoi se "në sfondin e epidemisë, ekonomia kineze e filloi vitin në një mënyrë të fuqishme".

foto/VCG

foto/VCG

Veçanërisht rimëkëmbja në sektorin e konsumit është përmirësuar ndjeshëm. Nga janari në shkurt, vëllimi i përgjithshëm i shitjes me pakicë të mallrave të konsumit në Kinë u rrit me 6.7 % krahasuar me dymujorin e parë të vjetshëm, shumë më tepër se parashikimi prej 3% nga ekonomistët e intervistuar nga “Reuters”. Rimëkëmbja e konsumit është kritike për ekonominë kineze. Në rritjen prej 8.1% të saj vitin e kaluar, shpenzimet e konsumit përfundimtar kontribuuan me 5.3 pikë përqindjeje, me një normë kontributi deri në 65.4%, duke u bërë forca e parë shtytëse e ekonomisë.

Gjithashtu, në dy muajt e parë të këtij viti, prodhimi industrial, investimet, import-eksporti dhe fusha të tjera shënuan rritje të shpejtë, duke ruajtur stabilitetin e punësimit dhe të çmimeve në Kinë. Kjo tregon se funksionimi i ekonomisë kineze ka ruajtur një vrull përparimi të qëndrueshëm dhe që bazat e saj nuk kanë ndryshuar dhe nuk do të ndryshojnë.

Aktualisht, epidemia po përhapet në shkallë globale, situata ndërkombëtare është e trazuar dhe themelet për rimëkëmbjen e qëndrueshme të ekonomisë së Kinës nuk janë ende të forta. Nga Konferenca Qendrore e Punës Ekonomike në fund të vitit të kaluar deri te raporti i punës së qeverisë i publikuar jo shumë kohë më parë, "i qëndrueshëm" është fjala kyçe. Në mbledhjen e Komitetit të Zhvillimit dhe Stabilitetit Financiar të Këshillit të Shtetit pjesëmarrësit theksuan gjithashtu nevojën për të ruajtur qëndrueshmërinë dhe vijueshmërinë e pritshmërive të politikave, duke thënë se do të zbatohen në mënyrë aktive politika të favorshme për tregun dhe do të paraqiten me maturi politika shtrënguese, ndërsa institucionet financiare duhet të mbështesin fuqishëm zhvillimin e ekonomisë reale.

Këto i kanë treguar botës së jashtme se Kina ka rezerva të mjaftueshme hapësire dhe mjetesh makropolitike. Tregu në përgjithësi pret që mbështetja e Kinës për rritjen e qëndrueshme nuk do të dobësohet. Sistemi financiar mund të "furnizojë” më mirë me “gjak" ekonominë reale, gjë që do të promovojë një të ashtuquajtur rreth të virtytshëm, do të bashkëshoqërojë zhvillimin e qëndrueshëm, të shëndetshëm dhe të vazhdueshëm të ekonomisë kineze dhe do të ndihmojë në përhapjen e "ngrohtësisë" së rimëkëmbjes së ekonomisë kineze në botë. (Fang Xiaoyu/Artan)