Të martën Dhoma e Përfaqësuesve e ShBA-së votoi për ndalimin e importit të naftës, gazit natyror dhe qymyrit nga Rusia. Ky është sanksioni më i ashpër i ShBA-së ndaj Rusisë deri më tani. Për këtë, përdoruesit europianë të internetit u shprehën që këto nuk janë sanksione ndaj Rusisë, por “ShBA-ja po sanksionon BE-në”!

Që nga shpërthimi i konfliktit Rusi-Ukrainë, ShBA-ja ka shpërfillur shkaqet historike të çështjes së Ukrainës dhe arsyen e promovimit prej vetë asaj të zgjerimit të NATO-s drejt Lindjes, dhe ka bashkuar forcat me aleatët e vet evropianë për të vendosur sanksione të shumta ndaj Rusisë, duke e acaruar edhe më shumë situatën tashmë të tensionuar. Por teksa po shfaqen pasojat e sanksioneve abuzive, Europa po e sheh veten si një nga viktimat kryesore të konfliktit, thuhet në një koment të Grupin Mediatik të Kinës.

Kohët e fundit, rritja e çmimeve të energjisë ka bërë që evropianët të ankohen. Meqenëse Rusia është furnizuesja më e madhe e naftës në Europë dhe furnizon rreth 45 % të gazit natyror të BE-së, me ndalimin e eksporteve të saj të naftës dhe gazit, Europa do të përballet me rritje të mëtejshme të çmimeve të energjisë dhe me një hendek të madh të kërkesës.

Jo vetëm energjia, por edhe problemi ushqimor i Europës ndodhet para një prove, vijon komenti i CMG-së. Ukraina konsiderohet si "hambari i Europës" dhe, ndërsa gjendja aty përkeqësohet, tregtia në portet e Detit të Zi është ndërprerë, duke rritur çmimet e drithërave si gruri. Përveç kësaj, një numër i madh ukrainasish janë dyndur në vendet fqinje, duke sjellë sfida të reja për Europën, e cila tashmë është e rrënuar nga refugjatët nga Lindja e Mesme.

Më serioze është çështja e sigurisë. Nga pikëpamja gjeografike, Rusia dhe Ukraina janë fqinje prej të cilave vendet europiane nuk mund të largohen. Vetëm një situatë e qëndrueshme në Ukrainë mund të garantojë siguri maksimale në kontinentin evropian. ShBA-ja, nismëtarja e krizës ukrainase, është mijëra kilometra larg dhe nuk preket. Përkundrazi, ajo shfrytëzon rastin për të fituar më shumë para për kompleksin e saj ushtarako-industrial dhe i shtrëngon më tej Rusinë dhe Europën, duke siguruar më shumë leva për të ruajtur hegjemoninë e saj.

Në të kundërt, Europa ka pësuar një ndikim zhvillimor duke ndjekur ShBA-në në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe procesi i kërkimit të autonomisë strategjike është penguar. Në vitin 2014, "Formati i Normandisë" i propozuar nga Gjermania dhe Franca, duke anashkaluar ShBA-në, demonstroi përpjekjet e Europës për të promovuar autonominë strategjike. Por gjëja që ShBA-ja nuk dëshiron të shohë është një mirëkuptim gjithëpërfshirës midis Rusisë e Europës dhe gjithmonë ka dashur të bllokojë përpjekjet e autonomisë strategjike të Europës.

Kriza e Ukrainës i ka dhënë një mundësi ShBA-së. Së fundmi, sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u shpreh gjatë vizitës së tij në Europën Lindore se NATO-ja po shqyrton mundësinë e zgjerimit të mëtejshëm të pranisë së saj ushtarake në Europën Lindore. Nuk është e vështirë të shihet se qëllimi është për të parandaluar shkëputjen e Europës nga kontrolli amerikan.

Për ShBA-në, Europa nuk ka qenë kurrë një aleat i barabartë, por një gur për të ruajtur hegjemoninë amerikane.

Europa duhet të vazhdojë të përballet me shkaqet rrënjësore të krizës në Ukrainë nga interesat e veta, të promovojë bisedimet dhe të nxitë krijimin e një kuadri sigurie europiane të ekuilibruar, efektive dhe të qëndrueshme. Kjo është mënyra e duhur për të garantuar siguri të qëndrueshme në Europë.

Është koha që Europa të dalë nga “kurthi i ShBA-së” dhe të arrijë autonominë strategjike, e mbyll komentin e saj CMG-ja. (Zhan Dian/Artan)