MMK

MMK

Kina ka mbajtur rritje të arsyeshme dhe të qëndrueshme të shpenzimeve të mbrojtjes për të trajtuar sfidat komplekse të sigurisë e për të përmbushur përgjegjësinë e saj si një vend i madh, theksoi një zëdhënës ushtarak.

"Historia dëshmon dhe do të vazhdojë të dëshmojë se forcat e armatosura kineze janë dhe do të jenë gjithmonë një forcë e palëkundur për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe ruajtjen e paqes botërore," tha Wu Qian, zëdhënës i delegacionit të Ushtrisë Çlirimtare Popullore dhe Forcave të Policisë së Armatosur Popullore në sesionin e pestë të Asamblesë të 13-të Kombëtare Popullore të mërkurën.

Qeveria kineze merr parasysh kërkesat e mbrojtjes kombëtare dhe zhvillimit të ekonomisë për të përcaktuar shkallën e duhur të shpenzimeve të mbrojtjes, theksoi Wu.

Kina ka paraqitur raporte mbi shpenzimet e saj ushtarake në Kombet e Bashkuara çdo vit që nga viti 2008, tha ai, duke shtuar se është e pabazë që disa forca të jashtme trumbetojnë të ashtuquajturat "shpenzime të fshehura ushtarake".

Sipas Wu, buxheti i mbrojtjes i Kinës mbetet relativisht i ulët krahasuar me ShBA-në.

Buxheti i mbrojtjes i Kinës do të rritet me 7.1 për qind, duke arritur në 1.45 trilion juanë (rreth 229 miliardë dollarë) këtë vit dhe duke ruajtur rritjen njëshifrore për të shtatin vit radhazi, sipas një raporti mbi projektbuxhetet qendrore dhe vendore për vitin 2022 të paraqitur në AKP të shtunën e kaluar.

Wu theksoi gjithashtu se ushtria kineze nuk do të tolerojë kurrë veprimet separatiste të "pavarësisë së Tajvanit" dhe ndërhyrjen e forcave të huaja.

Sipas tij, stërvitjet përkatëse dhe veprimtaritë trajnuese të Ushtrisë Çlirimtare Popullore nuk kanë aspak në shënjestër bashkatdhetarët tajvanezë, por veprimtaritë separatiste për "pavarësinë e Tajvanit" dhe ndërhyrjen e forcave të huaja.

Sipas tij, veprimtaritë separatiste të autoritetit të Partisë Progresive Demokratike të Tajvanit dhe marrëveshjet e fshehta me forcat e huaja janë shkaku kryesor i tensionimit dhe i problemeve të tanishme në ngushticën e Tajvanit.(Artan)