Lojërat Paralimpike Dimërore të Pekinit do të hapen mbrëmjen e së premtes.

Pekini do të jetë përsëri skena botërore e sportistëve që përpiqen për të tejkaluar vetveten. Presidenti i Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar Andrew Parsons është shprehur se shërbimet e vullnetarëve në Paralimpiadën Dimërore të Pekinit janë shumë të kujdesshme dhe të hollësishme. “Kemi ndier sinqerisht entuziazmin e popullit kinez,” tha Andrew.

“Kam qenë gjithmonë i kënaqur që kur mbërrita këtu”, tha sportisti amerikan Tyler Carter, duke shtuar se “pajisjet këtu, duke përfshirë pajisjet harduerike dhe pajisjet për njerëzit me aftësi të kufizuara, janë më të mirat ndër Lojërat Paralimpike ku kam marrë pjesë.” Ndërsa sportisti norvegjez Jesper Perdersen u shpreh: “Kam besim që do të bëj ski më shpejt këtu”.

Lojërat Paralimpike Dimërore të Pekinit do të shfrytëzojnë objektet dhe pajisjet e përdorura në olimpiadën dimërore, duke bërë pak ndryshime të humanizuara për njerëzit me aftësi të kufizuara. Në fshatin olimpik janë vendosur doreza të reja dyersh dhe shtretërit janë më të ulët. Ka edhe menu të posaçme me alfabet “Brail” për sportistët me shikim të dëmtuar.

Dashamirësia dhe ngrohtësia e paralimpiadës janë mikrokozmosi i zhvillimit të vazhdueshëm të sporteve të njerëzve me aftësi të kufizuara në Kinë. Autoritetet kineze publikuan të enjten librin e bardhë për zhvillimin e sporteve për njerëzit me aftësi të kufizuara. Nga të dhënat dhe shembujt në këtë libër mund të shihet që tani në Kinë po ngrihet shpejt niveli i sporteve të njerëzve me aftësi të kufizuara, dhe ky grup i shoqërisë gjithnjë e më shumë po i realizon ëndrrat e veta nëpërmjet sportit.

Pas përpjekjeve gjashtëvjeçare, numri i sportistëve me aftësi të kufizuara në Kinë është rritur nga më pak se 50 në afro 1000, të cilat përfshijnë të gjitha llojet e disiplinave paralimpike. Sivjet delegacioni kinez me 96 sportistë me aftësi të kufizuara do të konkurrojë në ndeshjet dhe garat e 73 kategorive të 6 sporteve, duke shënuar rekord nga ana e numrit të anëtarëve, të sportistëve dhe të garave.

Sportet e njerëzve me aftësi të kufizuara janë një pasqyrë e arritjeve të Kinës në respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të njerëzve me aftësi të kufizuar.

“Njerëzit me aftësi normale mund të bëjnë një jetë të shkëlqyer, e po ashtu dhe njerëzit me aftësi të kufizuara mund ta kenë jetën e tyre të mrekullueshme.” “Kina do ta zhvillojë më tej kauzën e njerëzve me aftësi të kufizuara, dhe do të nxitë zhvillimin gjithëpërfshirës dhe begatinë të tyre.” Presidenti kinez Xi Jinping ka treguar drejtimin për të përmbushur kërkesat e njerëzve me aftësi të kufizuara për një jetë më të mirë. Në Kinë, çështja e njerëzve me aftësi të kufizuara është përfshirë në planin e përgjithshëm të zhvillimit ekonomik-shoqëror të vendit dhe planin e veprimit për të drejtat e njeriut, çka pasqyron arritjet e Kinës në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.(Li Huailiang/Artan)