Foto: CGTN

Foto: CGTN

Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u bëri thirrje të martën Ukrainës dhe Rusisë që të gjejnë mënyrën për zgjidhjen e konfliktit mes tyre nëpërmjet dialogut, duke thënë se Kina mbështet të gjitha përpjekjet konstruktive ndërkombëtare për arritjen e një zgjidhjeje politike.

Gjatë një bisede telefonike me homologun e tij ukrainas Dmytro Kuleba, Wang vuri në dukje se situata në Ukrainë ka ndryshuar me shpejtësi. Ai tha se pala kineze shpreh keqardhjen për shpërthimin e konfliktit midis Ukrainës e Rusisë dhe është jashtëzakonisht e shqetësuar për dëmet e pësuara nga civilët.

Qëndrimi themelor i Kinës për çështjen e Ukrainës është i hapur, transparent dhe i qëndrueshëm, tha ministri i Jashtëm kinez, duke shtuar se Pekini gjithmonë ka mbrojtur respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të të gjitha vendeve.

Kina beson se siguria e një vendi nuk duhet të arrihet në kurriz të sigurisë së vendeve të tjera, aq më pak të garantohet siguria rajonale duke forcuar apo edhe zgjeruar blloqet ushtarake, theksoi Wang.

Në kushtet e intensifikimit të luftimeve, ministri i Jashtëm kinez i tha homologut të tij ukrainas se është e domosdoshme të qetësohet gjendja në terren dhe të shmanget përshkallëzimi apo edhe dalja e konfliktit jashtë kontrollit.

Ai shtoi se është veçanërisht e rëndësishme të parandalohet dëmtimi i civilëve dhe shkaktimi i krizave humanitare, si edhe të sigurohet qasja në kohë për ndihmat humanitare.

Kryediplomati ukrainas e informoi Wang Yi-në për raundin e parë të negociatave ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, duke thënë se përfundimi i luftës është përparësia kryesore për palën ukrainase.

Kuleba theksoi se Ukraina është e hapur për zgjidhjen e çështjes nëpërmjet dialogut dhe i trajton negociatat me Rusinë me sinqeritet.

Pavarësisht faktit se negociatat nuk po përparojnë lirshëm, pala ukrainase mbetet e qetë dhe e gatshme të vazhdojë t’i nxitë ato, shtoi Kuleba.

Ministri i Jashtëm ukrainas theksoi se Kina ka luajtur një rol konstruktiv në këtë çështje. Ukraina është e gatshme të forcojë komunikimin me Kinën dhe shpreson që Pekini të vijojë përpjekjet për të arritur një armëpushim. (Çang Çuo)