Platforma e Shërbimit Mbarëmediatik (AMSP), e krijuar bashkërisht nga Grupi Mediatik i Kinës (CMG) dhe partnerët e saj globalë mediatikë, u përurua zyrtarisht të hënën.

Shen Haixiong, presidenti dhe kryeredaktori i CMG-së, njoftoi fillimin e funksionimit në një ceremoni, në të cilën morën pjesë drejtuesit e rreth 30 medieve dhe organizatave mediatike nga e gjithë bota.

Duke folur me këtë rast, Shen tha se Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022 ishin një takim madhështor për të gjithë njerëzimin, që i shtoi ngrohtësinë, besimin dhe bashkimin botës gjatë pandemisë së COVID-19, duke ofruar një platformë të shkëlqyer për mediat globale për të shkëmbyer pikëpamje dhe për të bashkëpunuar me përfitime të përbashkëta.

Sipas statistikave, mbulimi ndërmedial i Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit 2022 arriti një audiencë të përgjithshme 62.814 miliardë në platformat e CMG-së, shumë më tepër se ajo e Lojërave Olimpike Verore 2020 të Tokios. Rreth 2 107 stacione televizive dhe platforma të reja mediatike në 110 vende dhe rajone në mbarë botë cituan dhe transmetuan 97 000 herë përmbajtjet e CMG-së. Ky është një zhvillim inovativ i bashkëpunimit mediatik dhe i shërbimeve të personalizuara që i kanë dhënë jetë kësaj platforme.

Shen theksoi gjithashtu që, duke ndërtuar këtë platformë, CMG-ja shpreson të zgjerojë kanalet e reja për bashkëpunimin mediatik global, të vazhdojë më tej parimin e mbrojtjes së të vërtetës, të përballojë së bashku sfidat, të arrijë përfitime të ndërsjella dhe të promovojë me forcë vlerat e përbashkëta të njerëzimit.

Të pranishmit në ceremoninë e zhvilluar në internet vlerësuan lart nismën e CMG-së për ndërtimin e AMSP-së.

AMSP-ja është një platformë shërbimi ndërvepruese mbarëmediatike që kombinon shkëmbimin dhe shfaqjen e përmbajtjeve, shkëmbimet e biznesit, personalizimin për mediat bashkëpunuese globale dhe funksionet për reporterët jashtë vendit në bazë të materialeve ekzistuese të lajmeve në video dhe shërbimeve të përmbajtjeve, duke shfrytëzuar plotësisht epërsitë e komunikimit të integruar të CMG-së.(Zhan Dian/Artan)