Kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping zhvilloi të premten një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, ku u shpreh që Kina e përcakton qëndrimin e vet mbi problemin e Ukrainës në bazë të thelbit të vetë këtij problemi. Sipas Xi Jinping-ut, duhet të hiqet dorë nga mendësia e Luftës së Ftohtë dhe t’u kushtohet rëndësi shqetësimeve të arsyeshme për sigurinë të të gjitha palëve. Po ashtu, duhet të formohet nëpërmjet bisedimeve një mekanizëm i sigurisë europiane i ekuilibruar, i qëndrueshëm dhe i efektshëm. Pala kineze mbështet palën ruse dhe palën ukrainase në zgjidhjen e çështjes nëpërmjet negociatave. Ndërsa Putini u shpreh që Rusia është e gatshme të zhvillojë bisedime të nivelit të lartë me Ukrainën.

Kjo është një bisedë shumë e rëndësishme telefonike dhe përpjekja më e fundit e Kinës për zgjidhjen politike të problemit të Ukrainës, thuhet në një koment të CMG-së. Më parë, Xi theksoi në një bisedë telefonike me presidentin francez Emmanuel Macron që palët duhet të ngulin këmbë në zgjidhjen politike, të shfrytëzojnë platformat shumëpalëshe, si Mekanizmi i Normandisë, dhe të përpiqen për zgjidhjen e gjithanshme të problemit të Ukranikës nëpërmjet dialogut.

Krahas kësaj, edhe ministri i Jashtëm kinez ka shtjelluar qëndrimin e Kinës në bisedat telefonike me homologët e tij të Rusisë dhe ShBA-së.

Mbi problemin e Ukrainës, Kina nxit bisedimet paqësore dhe ka ofruar një projekt për zgjidhjen politike, duke treguar përgjegjësinë e duhur të një fuqie të madhe.

Ndërkohë, biseda mes krerëve shtetërorë të Kinës dhe Rusisë ka dhënë një sinjal të rëndësishëm: edhe pse ndodhin konflikte ushtarake, ende ekziston mundësia e zgjidhjes së problemit nëpërmjet dialogut.

Si Kievi, ashtu dhe Moska, kanë shprehur gatishmërinë për bisedime dhe kjo tregon që dera e zgjidhjes politike nuk është mbyllur. Përballja nuk i zgjidh problemet dhe dialogu është rruga e arsyeshme për zgjidhjen e çështjes së Ukrainës, mbyllet komenti i CMG-së.